Sot dita e Shpresave, kuqezinjtë në një sfidë luksi ndaj Spanjës

Pas barazimit 0-0 që Kombëtarja arriti në “Elbasan Arena” ndaj Jordanisë, sot është dita e Shpresave për të zbritur në fushën e blertë, por në ndeshje zyrtare dhe jo miqësore. Të besuarit e Alban Bushit, do të kenë përballë të rinjtë e Spanjës në një takim mjaft të vështirë që do të luhet në orën 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Të rinjtë e Shqipërisë, kanë dalë nga gara për të siguruar një biletë për në Europian dhe në sfidën e sotme, kanë mundësinë që të tregojnë vlerat e tyre dhe ndoshta t’i japin një sinjal pozitiv trajnerit Kristian Panuçi për ndeshjet e nëntorit. Spanja e cila kryeson edhe grupin ku ne bëjmë pjesë, është një ekip i mbushur me yje të rinj, nga Seria A, La Liga apo edhe liga të tjera dhe mjafton të përmendet ylli i Realit, Borja Majoral.

Nga ana tjetër, Bushi do të ketë mundësi që të provojë edhe lojtarë të rinj, që mund t’i ketë në dispozicion për kualifikueset e ardhshme, duke qenë se shumë futbollistë nga skuadra aktuale, nuk do të jenë më në të gatshëm për shkak të moshës. Pesë ditë më vonë, Shqipëria U21 udhëton drejt Estonisë për ndeshjen e fundit në grupe. /Erjon Allaraj-VipSport.al/