Skocezët të lumtur: Grezda te Shqipëria është gjë e mirë

Eros Grezda vazhdon të mos jetë në 100% të tij si pasojë e dëmtimit të pësuar dhe operacionit të tij që e ka lënë disa muaj jashtë fushave të lojës. Rejnxhërs nuk ka pasur mundësinë t’i jepte atij minutazhin  e duhur deri tani, ndaj Kristian Panuçi ka bërë të qartë se do të testojë gjendjen e futbollistit në ndeshjen ndaj Jordanisë.

Për këtë janë të lumtur edhe te Rejnxhërs. Sipas portaleve pranë klubit, zakonisht askush nuk kënaqet kur lojtarët udhëtojnë dhe lodhen me ekipin kombëtar në klubet përkatëse, sidomos ata që kanë pasur probleme fizike. Por “rangersneës.uk” mendon se ky nuk është rasti i Grezdës.

“Ndërsa shpesh është diçka e zgjuar që disa lojtarë me probleme të mos u bashkohen ekipeve kombëtare, Grezda që largohet për të luajtur me Shqipërinë mund të jetë në favorin e Rejnxhërs. Ai ka shumë nevojë për minuta lojë dhe me Shqipërinë mund t’i sigurojë ato”, shkruan portali.

Grezda ka luajtur si zëvendësues me skuadrën skoceze në kampionat, ndërsa trajneri Panuçi po planifikon ta aktivizojë fillimisht një pjesë loje me Jordaninë, për të mos sforcuar shumë futbollistin para ndeshjes me Izraelin, që është objektivi kryesor. /vipsport.al/

more recommended stories