Skënderbeu në hall, kërcënimet ndaj UEFA-s i ka bërë… “Ilirjan Përmeti”!

Ilirjan Përmeti ka kërcënuar inspektorët e UEFA-s me jetë, duke bërë që organizata ndërkombëtare të merrte një vendim drastik për përjashtimin e Skënderbeut për 10 vitet e ardhshme. Sipas “Panorama Sport”, një e-mail që mban emrin e shefit të klubit është ai nga i cili janë nisur kërcënimet ndaj familjes së një prej inspektorëve që po hetonin Skënderbeun, ndërsa korçarët po përpiqen në të gjitha mënyrat të vërtetojnë se punonjësi i tyre nuk ka gisht në këtë çështje.

I njëjti burim sqaron se në klub pretendojnë që bëhet fjalë për një adresë false e krijuar me emrin e tij për të prishur punë, jo ajo zyrtare që përdor Përmeti në komunikimet zyrtare. Ndaj është kërkuar nga Prokuroria që të bëhet identifikimi i serverëve nga i cili është nisur e-maili. Sipas hetimeve rezulton të ketë qenë një pikë interneti në territorin shqiptar, por fatkeqësisht nuk ka asnjë provë të mirëfilltë fizike që vërteton se Përmeti nuk ka gisht me këtë ngjarje.

Sigurisht që përfshirja e emrit të një prej zyrtarëve më të lartë të Skënderbeut dhe krahut të djathtë të presidenti Ardjan Takaj në këtë çështje nuk pastron figurën e klubit korçar, edhe pse askush nuk ka dyshime për mospërfshirjen e Përmetit, një personazh mjaft i njohur në futbollin shqiptar. Gjithsesi, në Korçë po mundohen që të zgjidhin sa më parë këtë telash që u ka dalë dhe të sqarojnë se Përmeti nuk ka gisht në çështje, pasi duan ta paraqesin si provë të pafajësisë së tyre para KAS të Lozanës në seancën dëgjimore e cila me shumë mundësi do të zhvillohet në nëntor. /vipsport.al/

more recommended stories