Skandali i trukimeve  në Belgjikë, i përfshirë edhe ish-menaxheri i Besnik Hasit

Skandali që ka përfshirë futbollin belg po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha. Janë arrestuar trajnerë, ku veçohet Ivan Leko i Bryzhit, drejtues klubesh dhe menaxherë të ndryshëm, mes tyre edhe serbi Dejan Veljkoviç, i cili ka qenë menaxheri i Besnik Hasit kur ai ishte tek Anderlehti. Të gjithë dyshohen për trukim ndeshjesh dhe pastrim parash.

Gjatë operacionit “duar të pastra” të policisë në Belgjikë janë arrestuar agjentët Mohoj Bojat dhe Dejan Veljkoviç, trajneri Ivan Leko dhe arbitrat Sebastian Delferir dhe Bart Vertente. Klubi i Bryzhit është i gatshëm për bashkëpunim në këtë çështje, pasi nuk ka asgjë për të fshehur, sipas drejtuesve të tij.

Bujë ka bërë përfshirja në këtë çështje e menaxherit Veljkoviç, i cili ka marrëdhënie shumë të mira me klubet e Meshelenit, Lokerenit dhe Klub Bryzhit, ku ka bërë shumë transferime. Po ashtu, ai ka mundësuar edhe kalimin në Itali të lojtarëve Adam Marusiç dhe Xhordan Lukaku, të dy aktualisht te Lacio e Igli Tares.

Hetimet e mëtejshme pritet të sjellin detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje që ka bërë bujë në Belgjikë dhe jo vetëm. / Vipsport.al/F.R