Skandali / Futbollisti përdori Shpresat kuqezi për të marrë ftesë nga Zvicra

Shpeshherë flitet se si futbollistë me origjinë shqiptare përdorin interesimin nga Shqipëria që të tërheqin vëmendjen e përfaqësueseve të tjera. Fatkeqësisht, nuk është një spekulim mediatik siç trumbetojnë vetë lojtarë apo të afërm të tyre, por një e vërtetë e pakundërshtueshme dhe një rast i tillë është shfaqur vetëm në muajin e fundit ku një futbollist shqiptar ka përdorur Shpresat kuqezi për të fituar një ftesë nga përfaqësuesja zvicerane që e kishte harruar.

Mesfushori Kastrijot Ndau ishte pjesë e grumbullimit kuqezi në muajin shtator, pasi lojtari i cili në të kaluarën kishte veshur fanellën e moshave të përfaqësueseve të Zvicrës, kishte shfaqur interes që të luante për Shqipërinë. Mesfushori 19-vjeçar i Zyrihut u ftua me kombëtaren shqiptare U21 për ndeshjen miqësore kundër Italisë, pasi për atë me Spanjën nuk kishte gati pasaportën shqiptare që të aktivizohej në ndeshje zyrtare.

Ndau luajti në minutat e fundit të ndeshjes kundër Italisë, duke bërë debutimin e tij si kuqezi. Por me sa duket kaq ka qenë edhe objektivi i tij. Kjo pasi vetëm një muaj pas asaj ndeshje ndaj italianëve, ai është shfaqur përsëri me fanellën e Zvicrës U20 që nuk e kishte grumbulluar asnjëherë më parë, duke luajtur kundër Gjermanisë U-20 në miqësoren e përfunduar me shifrat 3-2 për gjermanët.

Një sjellje skandaloze, që tregon edhe një herë se sa kujdes duhet me elementë të tillë të cilët përdorin përfaqësueset shqiptare për të rritur vlerat e tyre në treg, e treguar se sa pak lidhje kanë me ngjyrat kuqezi. Fatkeqësisht, Kastrijot Ndau nuk është i pari që e bën një gjë të tillë, por shpresojmë që të jetë i fundit. /vipsport.al/

more recommended stories