Skandal në Lushnjë, Bujar Pregja nxori jashtë stadiumit gazetaren e RTSH-së

Ndeshja e sotme e Kategorisë së Parë mes Lushnjës dhe Bylisit ka qenë shembulli më i mirë i papërgjegjshmërisë me të cilën administron ndeshjet institucioni i futbollit. Pasi i shpëtoi nga dora kontrolli i plotë i ndeshjes, delegati i FSHF, Bujar Pregja, ka arritur deri aty sa ka larguar nga stadiumi gazetaren e RTSH, Sabina Mete, duke mos e lejuar që të kryente detyrën e saj, edhe pse televizioni kombëtar është transmetuesi zyrtar i ndeshjeve të Kategorisë së Parë.

Siç tregon vetë gazetarja e RTSH-së, delegati nuk e lejoi që të merrte intervistat në momentet kur rrezikohej mosfillimi i pjesës së dytë të ndeshjes. “Në pushimin e ndeshjes, isha në pistë dhe komunikova me drejtuesit e Bylisit të cilët në ato momente po mendonin edhe të tërhiqnin skuadrën për shkak të tensionit në tribuna. Iu afrova edhe përfaqësuesve të Lushnjës, duke kërkuar edhe versionin e tyre të ngjarjeve, asgjë jashtë normalitetit të punës së zakonshme në stadiume të gazetarëve të cilët gjatë transmetimit televiziv qëndrojnë në pistë”, tregon Mete për “Vip Sport”.

“Në atë moment erdhi delegati i ndeshjes, Bujar Pregja, i cili me sa duket kishte vështirësi të kontrollonte situatën dhe më largoi nga pista e stadiumit, më tha që nuk kam punë aty dhe i tha policisë të më shoqëronte jashtë. Një gjë e tillë ndodhi edhe më vonë, duke më ndaluar deri në fund të ndeshjes që të qëdnroja në pistën e stadiumit, siç ndodh zakonisht kur jemi në transmetime të drejtpërdrejta si në këtë takim.

Është sjellje e pakuptueshme ajo që ka bërë Pregja në këtë rast, ndoshta i ndikuar nga tensioni i momentit dhe se i iku situata nga duart, pasi edhe UEFA në ndeshje ndërkombëtare na lejon që të qëndrojmë në pistë gjatë transmetimit për të kryer detyrën tonë. Është e pabesueshme që një gjë e tillë ndodh për më tepër me përfaqësues të transmetuesit zyrtar të ndeshjeve”, shpjegoi Mete këtë incident të shëmtuar gjatë ndeshjes së sotme e cila u mbyll me tensione në tribuna e në fushën e lojës. /vipsport.al/

more recommended stories