Shqiptarët munden në derbin e Selanikut, alarm për gjurin e Bashës

Mërgim Mavraj dhe Migjen Basha kanë dalë të mundur sot nga derbi i Selanikut, pasi Aris është mundur 2-1 nga PAOK në një nga ndeshjet më të ndezura të futbolli grek.

Të dy futbollistët shqiptarë e nisën si titullarë këtë ndeshje, me Migjen Bashën i cili ishte edhe me shiritin e kapitenit në krah. Por ndonëse Arisi kaloi shpejt në avantazh me Garsia, PAOK barazoi shifrat para fundit të pjesës së parë me Prijoviç dhe më pas shënoi golin e fitores në pjesën e dytë falë një tjetër goli të sulmuesit serb, ndërsa më parë ekipi i dy shqiptarëve humbi një penallti.

Mavraj luajti deri në minutën e funti të sfidës, ndërsa Basha u zëvendësua në minutën e 54-t. Paraqitja e mbrojtësit u cilësua pozitive nga mediat greke pas takimit, pasi fitoi thuajse çdo duel në lojën në ajër. Ndërsa për mesfushorin, vlerësimet nuk ishin edhe aq pozitive, pasi Basha bëri disa gabime në pasime gjatë ndeshjes që mund t’i kushtonin shtrenjtë ekipit të tij.

Megjithatë, sipas medieve greke, zëvendësimi nuk ishte për shkak të paraqitjes sportive, por për problemet që lojtari ka pasur me gjurin në kohët e fundit. Basha u dëmtua me kombëtaren por dëshironte të ishte protagonist në derbi, ndaj ka luajtur sot me injeksione. Kjo situatë që mund të ketë përkeqësuar dëmtimin e tij e mund ta lërë për një periudhë të gjatë jashtë fushave të lojës. /vipsport.al/