Shqipëria për rekordet e të tjerëve, goli i Izraelit në faqen e FIFA-s

Humbja e fundit që Shqipëria pësoi ndaj Izraelit, bëri që shumë media të huaja të shkruanin, e në fakt jo për paraqitjen e Shqipërisë, por për golin që izraelitët shënuan. Një gol që u asistua nga portieri izraelit dhe që e gjeti mbrojtjen tonë në gjumë, është kthyer në temë diskutimi.

Këtë radhë, ka qenë vetë faqja zyrtare e FIFA-s, ajo e cila ka bërë një përmbledhje të javës në shifra. Kështu, një ndër pikat që është përmendur nga FIFA, është edhe asisti që portieri i Izraelit dha ndaj Shqipërisë.

“69 metra ishte distanca e jashtëzakonshme e pasimit që dha portieri Ariel Harush duke e çuar topin në këmbët e Tomer Hemerit, për të shënuar golin e avantazhit ndaj Shqipërisë. Goli erdhi vetëm 7 sekonda pas goditjes së topit nga portieri 30-vjeçar”, shkruhej në postimin e FIFA-s. /Erjon Allaraj-VipSport.al/