Shënoi gol me “shqiponjë”, Llullaku: Luftojmë për 3 vendet e para

Azdren Llullaku po kalon një moment të mirë në kampionatin rumun dhe këtë e dëshmojnë asistet dhe golat e shënuar këtë sezon. Sulmuesi shqiptar ishte protagonist edhe në fitoren e fundit të Astras ndaj Hermanshtadit, duke shënuar golin e parë të takimit, gol ky që vjen pas 9 ndeshjesh pa shënuar dhe natyrisht nuk mungon as festa me “shqiponjë”.

Megjithëse në këto takime i ka munguar goli, Llullaku ka qenë protagonist me asiste duke qenë vendimtar në disa takime. Pasi fitores së fundit, ai është shprehur se ekipi i tij luan për një vend në treshen më të mirë.

“Është shumë e rëndësishme që fituam, pasi ky rezultat vjen pas dy humbjeve të pamerituara. Treguam se duam të qëndrojmë lart, të luftojmë për tre vendet e para.

Kam pritur për këtë gol, por kam ndihmuar ekipin në të gjitha ndeshjet edhe kur nuk kam shënuar. Është e rëndësishme të jemi një ekip i bashkuar. Duhet të qëndrojmë këtu dhe nuk mendoj se do të humbasim në “Play-off”.

Kemi edhe dy ndeshje të vështira ndaj Kraiovës dhe Steauas, por nuk do të jetë e lehtë as për kundërshtarët. Mendoj se jemi ekipe në të njëjtin ekuilibër dhe do të bëjmë ndeshje spektakolare”, u shpreh Llullaku. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories