Shaqiri shqetësohet në Liverpul: Jetoj në Mançester, nuk e di si reagojnë tifozët e Evertonit

Mund të duket e çuditshme por Xherdan Shaqiri, futbollist i Liverpulit jeton në Mançester dhe shkak për këtë është bërë mënyra e jetesës. Në një intervistë për “Blick.ch”, Shaqiri ka pranuar se jeton në Mançester, pasi aty ka jetuar edhe në kohën kur luante te Stouk Siti.

Ndërkohë, sulmuesi shqiptar është shprehur se hotelet në Liverpul i kanë dritaret shumë të holla dhe dëgjohen zhurmat jashtë, gjë e cila e shqetëson.

“Unë ende jetoj në Mançester, në të njëjtën banesë që kam jetuar kur isha pjesë e Stouk Sitit. Në Liverpul fle vetëm kur akomodohemi me skuadrën në hotele dhe dritaret kanë një xham shumë të hollë, ndryshe nga hotelet e Zvicrës. Nuk kam kaluar kurrë nëpër qendër të Liverpulit, pasi më kanë thënë shokët se tifozët vijnë menjëherë.

Frikë nga tifozët e Evertonit? Në fakt nuk e di se si mund të reagojnë. Ndoshta, nëse sillem mirë nuk kanë pse të reagojnë keq dhe nuk ndodh asgjë”, u shpreh Shaqiri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/