Rrumbullaku i pafat, dëmtohet sërish dhe udhëton drejt Greqisë

Ndeshja që Kukësi fitoi ndaj Kastrioti me rezultatin e ngushtë 1-2, ka rezultuar si “fitoret e Pirros” për verilindorët, duke qenë se mbrojtësi Simon Rrumbullaku ka pësuar një tjetër dëmtim. Ai u rikthye në takimin ndaj Kastriotit nga një problem në gju dhe po atë ndeshje, është dëmtuar sërish.

“VipSport.al” ka mësuar se mbrojtësi gjirokastrit ka probleme , pasi ka pësuar një tërheqje muskulare dhe me shumë gjasa, nesër do të udhëtojë drejt Greqisë për një kujdes mjekësor më të specializuar. Si fillim, Rrumbullaku do të kryejë një rezonancë magnetike dhe më pas do të shihet shkalla e dëmtimit.

Në fakt, Rrumbullaku u pa që në takimin ndaj Kastriotit, pasi u largua nga loja duke i lënë vendin Zguros dhe dukej që po çalonte. Në kampin verilindor, kanë nisur të shqetësohen seriozisht për dëmtimet, pasi pak ditë më parë, ishte Musolli ai që u operua dhe tashmë është sërish Rrumbullaku ai që ka pësuar dëmtimin e dytë radhazi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories