Rrumbullaku është gati: E vështirë të rrish kaq gjatë larg fushave

Pauza e ndeshjeve të kombëtareve ka ndihmuar Kukësin të fitojë një element me shumë rëndësi për verilindorët. Mbrojtësi Simo Rrumbullaku më në fund ka lënë pas dëmtimin dhe është kandidat për një fanellë titullari ndaj Kastriotit në fundjavë.

“Pësova një dëmtim në javën e dytë ndaj Flamurtarit, mendova se do të ishte i lehtë por nuk ishte i tillë. Mbeta jashtë fushave për afro 40 ditë. Kam punuar shumë, mendoj se jam gati dhe tani është zgjedhjae trajnerit nëse do të më fusë në lojë apo jo. Por kam punuar shumë dhe jam i gatshëm për këtë ndeshje. Është pak e vështirë në të gjithë aspektet se ndikon në anën psikologjike të rrish gjatë jashtë fushave se kjo është puna jonë kryesore. Por tani jam i gatshëm dhe do të bëj maksimumin për ekipin tim”, u shpreh futbollisti në një prononcim për “RTSH”.

Ai pranon se ekipi nuk i ka përjetuar mirë dy humbjet radhazi ndaj Skënderbeut e Partizanit, ndërsa paralajmëron se kthesa që pritet ndaj Kastriotit duhet të shohë impenjim maksimal nga të gjithë.

“Është pak e vështirë kur nuk je vetë në fushë. Është e vërtetë që humbëm dy ndeshje ndaj rivalëve, na ka mërzitur pak kjo gjë. Por besoj se ky pushim i kombëtareve na bëri mirë për të fituar këtë besim që kishim humbur në dy ndeshjet.

Sa kemi parë në futboll, nuk ka ndeshje e kundërshtarë të lehtë, të gjithë bëjnë maksimumin për ekipin e tyre. Këto janë ndeshje të vështira ndaj ekipeve që nuk kanë çfarë të humbasin, luajnë pa presion. Presionin e kemi ne për pikët dhe mendoj e shpresoj që nga fillimi do bëjmë një ndeshje të mirë, do jemi të përgatitur mirë dhe do ta fitojmë”, deklaroi Rrumbullaku. /vipsport.al/