Redi Jupi: Tirana është pretendente për të rënë nga Kategoria

Mungesa e tifozëve në stadiumet shqiptare, është kthyer në një problem dhe trajneri Redi Jupi është shprehur se nuk është vetëm cilësia e futbollit ajo që i mban larg por janë shumë faktorë të tjerë. I ftuar në “Procesin Sportiv”, Jupi ka komentuar edhe gjendjen që po kalon Tirana, duke e krahasuar me ekipet e tjera.

“Në stadium nuk duhet të vihet vetëm kur ka cilësi. Nuk mendoj se është vetëm cilësia ajo që po i mban larg tifozët por janë edhe faktorë të tjerë. Skënderbeu mori një dënim 10-vjeçar para pak kohësh dhe më duket sikur jemi larg këtyre fenomeneve. Për të fituar besimin, duhet një kohë e gjatë ndërsa për ta humbur mjafton vetëm një ose dy ndeshje. I bëj thirrje të gjithëve pasi ndeshja është e bukur kur shihet në stadium.

Tirana nuk është Tirana dhe Flamurtari është shumë larg Flamurtarit që ishte dikur. Në kohën më të keqe, ia vlente të blije biletën për të parë Tiranën në stadium dhe ndoshta kjo është një arsye që tifozët nuk shkojnë në stadium. Nëse heqin fanellën, nuk ka ndryshim mes Tiranës, Luftëtarit, Kastriotit, Kukësit apo edhe shumë të tjerave.

Skuadrat janë të pakënaqura me atë që po bëjnë dhe produkti është shumë larg pritshmërive. Kur sheh Tiranën dhe Flamurtarin në këtë gjendje, të vjen keq. Edhe kur Flamurtari luante keq dikur, të jepte shpresë për të ardhmen, por sot duket sikur kjo skuadër ka arritur në limite dhe lojtarët po luajnë sezonin e tyre të fundit. Futbollistët janë të pamotivuar. Ndoshta drejtuesit nuk kanë shumë kërkesa dhe pretendime.

Kur mbaron një fazë, në përgjithësi siç ka mbaruar faza e parë ka shkuar deri në fund. Tirana është pretendente për të rënë nga Kategoria, së bashku me Kamzën, Kastriotin e Luftëtarin. Kukësi, Partizani e Skënderbeu janë për titull kampion ndërsa Flamurtari, Teuta e Laçi duhet të shohin vetëm Europën.

Ka shumë vite që Flamurtari nuk është Flamurtar, pasi ka paguar shumë por çdo pagesë është bërë që mos të jetë Flamurtari. Tirana është më ndryshe pasi nuk ka pasur edhe financa”, u shpreh Jupi. /VipSport.al/

more recommended stories