Pengu i Bares te Shpresat: Kemi dominuar por e ka fajin sulmi

Nëse ka një lojtar që njeh shumë mirë Shpresat e Spanjës, ai është Keidi Bare, i cili ka pasur shpesh si kundërshtarë në kampionatet e moshave futbollistë të kësaj përfaqësueseje. Ndaj për të kjo do të jetë përsëri një ndeshje e veçantë. Gjithsesi, kapiteni i përfaqësueses mendon se fakti që njeh shumë nga rivalët do të thotë shumë pak, pasi ai është i përqendruar të marrë rezultat.

“Ndjesia është e veçantë, por t’i lëmë këto gjëra se unë dua të fitoj ndeshje. Do të futemi të gjithë për të fituar dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Unë kam luajtur dhe i kam shokë, por thjesht dua të fitoj. Më vjen keq se kemi pasur ekip të mirë, kemi dominuar dhe kemi luajtur mirë e më vjen keq ku jemi në renditje. Mund të bënim më shumë e arrinim më shumë.

Edhe fati bën pjesën e vet, në futboll po nuk pate fat është e vështirë. Por megjithatë, e përsëris që na mungoi goli, faza sulmuese që duhej të shënonim gola, kemi patur shumë raste që nuk i kemi shfrytëzuar”, shpjegoi Bare.

Mesfushori u shpreh i kënaqur me ftesën nga Shpresat, ndërsa është i gatshëm që në të ardhmen t’i bashkohet përfaqësueses A nëse luan rregullisht te Malaga.

“Atë e vendos trajneri, as unë as kush tjetër. Unë jam i gatshëm si për A, si U21. Por shpresoj që në të ardhmen të arrij qëllimin e të jem atje shumë shpejt. Presioni për mua nuk ka ekzistuar asnjëherë. Nuk kam kurrë. Edhe këtë ndeshje duhet të futemi me mentalitetin për të fituar, pavarësisht emrave të rinj.

Ndryshimi nga Malaga me Ateltiko? Atletiko është Atletiko, ka lojtarë të nivelit botëror si Grizman, ka më të mirë se Malaga. Por megjithatë, një lojtar duhet të ulë disa shkallë për të ngjitur më pas sa më lart. Duhet të stërvitesh sa më shumë për të fituar një vend dhe është gjëja më normale, po nuk u stërvite nuk e fiton. Me kalimin e kohës jam 100% i sigurt se do të kap vendin tim te Malaga”, tha futbollisti. /vipsport.al/