Panuçi në telashe me drejtësinë, Shqipëria mund t’i kushtojë shoqërimin nga policia

Kristian Panuçin duket se e ndjekin nga pas telashet me Shqipërinë dhe jo vetëm ato që kanë lidhje me paraqitjen e dobët që po bëjnë kuqezinjtë në fushën e lojës. Në fakt, këto të fundit mund t’i kushtojnë shtrenjtë trajnerit, të paktën një urdhër-shoqërimi të detyrueshëm në gjykatën italiane.

Situata është paksa e komplikuar dhe ka lidhje direkte me ndeshjen mes Shqipërisë dhe Uellsit që zhvillohet më 20 nëntor në Elbasan. Të nesërmen e asaj ndeshje, Panuçit do t’i duhet që të jetë i pranishëm në gjykatën e Trapanit, si dëshmitar në një çështje gjyqësore ndaj një shtetasi që ka vjedhur dhe shitur për publikim fotot e Fraçesko Totit gjatë pushimeve në Maldive në vitin 2011.

Panuçi nuk është paraqitur në gjyqin e djeshëm dhe gjykatësi e ka dënuar me një gjobë prej 250 eurosh, ndërsa nëse nuk paraqitet në seancën e radhës, të caktuar me 21 nëntor, ndaj trajnerit të përfaqësueses parashikohet të lëshohet urdhër-shoqërimi i detyrueshëm për në gjykatë. Kjo do të thotë se policia italiane do të shkojë të marrë Panuçin në banesën e tij në ditën e një seance të mëvonshme dhe ta shoqërojë atë në gjykatë edhe me forcë nëse ëshët e nevojshme, në një lloj “arresti të përkohshëm”.

Kësisoj, Panuçit do t’i duhet që të niset që në orët e para të mëngjesit të së nesërmes së ndeshjes me Uellsin drejt Italisë, për të zgjidhur sa më parë këtë telash, në mënyrë që emri i tij të mos përfundojë mes të kërkuarve të policisë për ca foto me mbathje plazhi të Françesko Totit. /vipsport.al/