Në Pogradec rikthehet “heroi”: Luajmë futboll më mirë nga të gjithë rivalët

Pogradeci është skuadra e vetme, ndoshta në futbollin shqiptar që 90% të organikës apo dhe të formacionit e ka me futbollistë vendas. Pogradecarët, ndonëse luajnë në Kategorinë e Parë janë një ekip simpatik, që çdo sezon prodhojnë talente dhe dijnë të fitojnë edhe jashtë fushës së tyre.

Pogradeci arriti që të marrë një fitore minimale ndaj Apolonisë fundjavën e shkuar, e si rrjedhojë është ngjitur në krye të renditjes. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Hermes Shkulaku, i rikthyer pas një sezoni jo të suksesshëm në Lushnjë për shkak dëmtimi, shënoi golin e vetëm ndaj fierakëve dhe të dytin në këto gjashtë javë, beson te pretendimet madhore të skuadrës.

-Hermes, jeni rikthyer te Pogradeci dhe golat…

Më vjen mirë që skuadra jonë luan futboll të bukur. Ndonëse ka pasur largime nga sezoni i shkuar të 3 titullarëve shumë të rëndësishëm, ekipi, unë them se nuk e ka humbur traditën, lojën e bukur dhe rezultatet pozitive.

-Dy vite më parë ishit shënuesi kryesor në skuadër, këtë synim i ke vënë vetes edhe në këtë kampionat?!

Në radhë të parë unë dua që të luaj mirë dhe të fitojë skuaadra. Për fat, deri në këto momente jemi “OK”. Janë bërë edhe afrime të studiuara në verë dhe ekipi po kompaktësohet. Unë e them me bindje se rivalët nuk kanë asgjë më shumë se ne.

-Duke parë ekipe që kanë investuar si: Egnatia, Bylis, Besa, Apolonia, ku e shikoni Pogradecin këtë sezon?

Secili ekip ka programin dhe punën e vet në mënyrën e ndërtimit dhe se si funkisonon. Ne jemi shumë mirë përderisa fitojmë në fushën tonë por edhe në transfertë. Pogradeci ka traditë dhe ajo që dua të them është se ne bëjmë lojën më të bukur. Kjo nuk vjen si rrjedhojë e financave, por e grupit, pasi Pogradeci nuk e ndryshon asnjëherë tërësisht skuadrën si ndodh me ekipet e tjera.

E. Saliu /Vipsport. al/

 

 

more recommended stories