Në kërkim të një mbrojtësi qendre me përvojë, Barcelona e gjen te Liverpuli

Barcelona është vënë në kërkim të një mbrojtësi qendre me përvojë, pasi në këtë rol ndihet në vështirësi, pas dëmtimit të Umtitit dhe Vermalenit. Një hipotezë ishte ajo e serbit të Zenitit, Branislav Ivanoviç, ndërsa tani ka dalë në skenë një emër tjetër. Bëhet fjalë për kroatin e Liverpulit, Dejan Lovren.

Për këtë të fundit janë mbyllur hapësirat nga Van Dijk dhe Xjo Gomez, dy titullarët e trajnerit Jurgen Klop. Kështu, mbrojtësi nënkampion i botës me Kroacinë, mund ta lërë Liverpulin në janar.

Tabloidi “The Sun” shkruan se Barcelona po monitoron situatën dhe mund të përfitojë në këtë moment për të marrë lojtarin e Liverpulit. Katalanasit kanë mbetur vetëm me Pike dhe Lenglet për qendrën e mbrojtjes, kështu që trajnerit Valverde i duhet patjetër një përforcim i rëndësishëm në merkaton e dimrit për të mbuluar këtë boshllëk. / Vipsport.al/F.R