Në Itali duken të sigurt: Një tjetër madrilen te Juventusi në janar

Ambiciet e Juventusit nuk marrin në fund me afrimin e Kristiano Ronaldos, pasi skuadra italiane synon që të tërheqë emra të tjerë shumë të njohur të futbollit botëror, për të rritur vlerën e imazhit të saj e për të synuar Ligën e Kampioneve. Kjo është arsyeja pse po afrohen lojtarë që kanë eksperiencë në këtë turne dhe me sa duket, bardheiznjtë kanë piketuar një tjetër emër të njohur për t’ia bashkuar grupit aktual.

Sipas të përditshmes sportive torineze “Tuttosport”, Juventusi ka që tani një akord paraprak me mbrojtësin brazilian të Real Madrid, Marcelo, të cilin e kishet kërkuar në verë. Gazeta raporton se futbollisti i ka kërkuar vetë klubit spanjoll që ta lërë të largohet që në janar te Juventusi, duke mos pritur merkaton e verës për ta bërë një gjë të tillë.

Marcelo mendohet se është tërhequr nga oferta italiane falë Kristiano Ronaldos, me të cilin është mik i afërt dhe kërkon të bëhet pjesë e projektit të bardhezinjve. Sigurisht, transferimi i tij do t’i kushtojë shumë shtrenjtë klubit italian, por ky i fundit është gati të sakrifikojë Aleks Sandro që kërkohet nga klubet e Premier Ligës, për të arritur te futbollisti i Realit. /vipsport.al/