Musta qartëson çështjen e kartonëve, Veliu u bën thirrje tifozëve për mbështetje

Emiljano Musta është në dispozicion të trajnerit Daja për ndeshjen e nesërme me Tiranën. Ditët e fundit është thënë se lojtari elbasanas është i skualifikuar, por gjithçka e ka sqaruar vetë lojtari në konferencë shtypi, ku ka dalë bashkë me trajnerin Daja dhe mbrojtësin Veliu.

“Nuk e di çfarë është thënë, por unë jam i gatshëm për këtë ndeshje, sepse kam tre kartonë të verdhë. Kam biseduar edhe me klubin dhe rezulton se jam i gatshëm, jam me tre kartonë të verdhë, jo me katër”, – ka sqaruar Musta, i cili aktivizohet në krah të majtë të mbrojtjes.

Kurse për ndeshjen me Tiranën, Musta u shpreh: “Do të jetë ndeshje e vështirë, nuk diskutohet. Tirana është ekip me emër dhe na ka munguar për një sezon, por edhe ne jemi Flamurtari, ekip me emër dhe traditë, kështu që duhet të bëjmë detyrën tonë”.

Mbrojtësi vlonjat, Franc Veliu, i cili nesër do të jetë titullar, theksoi: “Ndeshja me Tiranën është specifike. Kundërshtari duhet respektuar, pavarësisht se vjen nga një moment jo i mirë, qoftë edhe nga ajo që ka kaluar sezonin e kaluar. Tirana duhet marrë shumë seriozisht dhe objektivi ynë është që të fitojmë.

U bëj thirrje tifozëve tanë që të na mbështesin në këtë ndeshje, sepse kemi shumë nevojë për ta”. /Vipsport.al/F.R

more recommended stories