Mavraj: Nder të jem kapiten, e kishim mendjen te Izraeli

Mërgim Mavraj është kapiteni i ri i Kombëtares shqiptare dhe zgjedhja është bërë me votimin e futbollistëve. Në një prononcim për “Supersport”, Mavraj është shprehur i kënaqur me shiritin e kapitenit, duke pranuar se është një nder dhe përgjegjësi.

“Shiriti i Kapitenit? Nuk pritet një nder kaq i madh. Jam i kënaqur pasi është nder i madh dhe tani ke shumë përgjegjësi. Ishim të fokusuar në ndeshje. Ishte sekret dhe nuk e them se për kë votova.

Nuk besoj se ishte test gjeneral, pasi miqësorja me Jordaninë nuk krahasohet me Izraelin. E dimë shumë mirë se çfarë na pret atje dhe sot kemi luajtur me mendjen te Izraeli. Kishim edhe ndryshime dhe nuk duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje kësaj ndeshje.

Panuçi refuzon të flasë për “Supersport”? Gjërat që Panuçi flet me ne, janë gjëra që na përkasin vetëm ne dhe gjithmonë do të mbeten aty. Edhe në lidhje nëse ka folur apo jo për “Supersport”-in nuk më takon mua ta zbuloj këtu. Besoj se është zgjedhje e tij personale dhe duhet respektuar. Siç i respektojmë ne mendimet e medias, duhet edhe media t’i kuptojë mendimet e sportistëve. Çdo njeri ka përgjegjësi dhe natyrisht edhe trajneri ka përgjegjësitë e veta.

Mua më mungon ritmi por gjithsesi ia dola edhe pse mund të mos jem në 100% tim, pasi ka munguar për një kohë të gjatë”, u shpreh Mavraj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/