Kastrioti nuk humbet kohë, emëron trajnerin e ri

Kastrioti nuk ka kohë për të humbur dhe sot ka emëruar trajnerin e ri që do të zërë vendin e Elvis Plorit. Stavri Nica është trajneri që do të marrë drejtimin e krutanëve për të synuar mbijetesën. Elvis Plori dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes ndaj Kukësit dhe drejtuesit e Kastriotit, duke parë pozitat në të cilat ndodhen janë vënë menjëherë në lëvizje.

Stavri Nica e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe ditën e nesërme, pritet të zyrtarizohet dhe të bëhet prezantimi para mediave.

Stavri Nica, trajneri rekordmen që ka ndërruar shumë ekipe në vendin tonë, duke filluar që nga Kategoria e Dytë, me Luzin 2008 e deri në Superiore, nesër do të prezantohet në Krujë.

KARRIERA – Në fakt, durrsaku është një emër i njohur në trajningun shqiptar, por dhe një bast i rrezikshëm për çdo skuadër që e merr për ta vendosur në krye të stolit. Durrsaku, pavarësisht përvojës së madhe, njihet për paqendrueshmërinë e tij. Në vitet e fundit ka ndryshuar shumë ekipe dhe në periudha kohore të shkurtra, që nga Laçi, Teuta, Apolonia, Erzeni, Bylisi, por së fundmi drejtoi edhe Burrelin.

Nga matjanët është larguar në 5 tetor, madje dhe duke bojkotuar stërvitjen. Gjithsesi, është një trajner mjaft me eksperiencë dhe që në aspektin e përgatitjes së skuadrave apo dhe të motivimit dhe skemat taktike, konsiderohet një mjeshtër i vërtetë.

Kastriotit në fakt nuk i mungojnë kualitetet dhe investimet, madje një pjesë të lojtarëve, trajneri Stavri Nica i ka drejtuar edhe në ekipet e ndryshme ku ka trajnuar. Krutanët ndonëse janë në fund, kanë kualitete dhe një ekip simpatik, që për hir të së vërtetës në këto javët e para ka zhvilluar futboll të bukur, në shtëpi, por ka ditur që të marrë rezultate pozitive edhe në transfertë.

E.S. /Vipsport.al/