Kush është spiuni këtu? Murinjo kërkon armikun edhe te Mançester Junajtid

Zhoze Murinjo fillon kërkimin për të gjetur spiunin në radhët e skuadrës së tij. E përditshmja angleze, “Daily Mail” ka zbuluar se trajneri portugez është acaruar shumë para sfidës ndaj Çelsit dhe ka premtuar se do të gjejë personin i cili bëri publik se si do të rreshtohej ekipi në duelin ndaj ish-ekipit të tij.

Që në mëngjesin e të shtunës, në rrjetet sociale u përhap me shpejtësi lajmi rreth mënyrës së si do të rreshtohej Mançester Junajtid në këtë sfidë, gjë për të cilin ishin në dijeni vetëm futbollistët dhe stafi teknik. Aktivizimi i Huan Mata në rreshtimin titullar ishte një armë që Murinjo dëshironte të përdorte në avantazhin e tij, por nuk ishte edhe aq efektive pasi gjithçka u bë publike shumë orë para takimit.

Kjo nuk është hera e parë që Murinjo nis kërkimin për “spiunin” në një prej skuadrave të tij. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe te Real Madrid, kur ai që e pësoi pas hetimeve të portugezit ishte Esteban Granero, i cili u akuzua edhe publikisht se ndihmonte gazetarët duke u treguar gjërat që ndodhnin në dhomat e zhveshjeve dhe në fund të sezonit u largua nga ekipi. /vipsport.al/