Jemini: Gabojnë të gjithë, më thoni një rast ku u favorizua Partizani

Ish-gjyqtari ndërkombëtar, Lorenc Jemini, argumenton se këtë vit askush nuk është ndihmuar më shumë nga gjyqtarët, aq më tepër Partizani, siç është pretenduar së fundmi. Në fjalët e tij te “Procesin Sportiv”, ai u shpreh se këtë vit nuk kishte favorizime, edhe pse kishte vazhdimisht gabime.

“Pa të më thoni një rast ku është favorizuar Partizani! Në cilën ndeshje?”, tha ish-gjyqtari i FIFA-s në deklaratën e tij.

“Sivjet gabimet kanë qenë më të pakta dhe është fillimi i kampionatit. Deri tani, i vetmi ekip i dëmtuar ishte Tirana në një ndeshje, e kemi pranuar të gjithë. Edhe këtë javë ka pasur gabime thuajse në të gjitha ndeshjet, në të pesta, por nuk ka pasur probleme të mëdha me trajnerët”, vijoi ai.

“Favoret ndaj Partizanit? Te Bardhi duhej dhënë faull për portierin, se nuk merret me topin dhe vë dorën te portieri. Në raste të tilla jepet faull për portierin. Por nëse do të ishte tendencë favorizimi, mund të jepej penallti në rastin e prekjes me dorë. Ia kam nisur videon edhe vëzhguesve të FIFA-s dhe thonë se është 50 me 50”, deklaroi Jemini. /vipsport.al/