Ishte dështimi më i madh i Ze Marias, sot firmosi përsëri aty ku e mori

Kur u prezantua te Tirana, nuk u shfaq me një fanellë dosido, por me atë me numrin 10, të cilën në klubin bardheblu e kanë veshur emra të mëdhenj në vite. Por Keneth Muguna nuk u bë kurrë një emër i madh për këtë klub, edhe pse ish-trajneri Ze Maria u shpreh shpesh se shihte të ai organizatorin që do të zgjidhte hallet e bardhebluve.

Tirana ishte gati të shkonte edhe në FIFA për të pas telasheve që i solli me kenianët e Gor Mahias, sepse kontaktoi futbollistin pa lejen e tyre. Bardheblutë si përfundim paguan 30 mijë euro për kartonin e tij, të bindur nga Ze Maria se do të kishin më në fund një “numër 10” në radhët e tyre. Por Muguna përfundoi duke u aktivizuar shumë pak edhe në Kategorinë e Parë me Tiranën dhe në fund të sezonit, u dha lamtumirën bardhebluve, duke marrë me vete edhe pretendimet se nuk ishte paguar rregullisht nga ata.

Sot, Muguna ka firmosur përsëri me klubin të cilit i dha lamtumirën pak muaj më parë për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Futbollisti ka firmosur për tre vite me Gor Mahian në Kenia, me bindjen që të vazhdojë aty karrierën e tij pas eksperimentit të dështuar në Shqipëri. /vipsport.al/