Intervista për “VipSport”/ Emir Sahiti: Nuk dështuam, më kanë kontaktuar nga Kosova dhe Maqedonia

Pak ditë më parë, u mbyllën zyrtarisht eliminatoret e Europianit për të rinjtë, me Shqipërinë U21 që nuk arriti të linte gjurmë në një grup relativisht të vështirë me Spanjën, Sllovakinë, Islandën, Estoninë e Irlandën e Veriut. Në 10 takime, Shqipëria grumbulloi vetëm 7 pikë duke u renditur në vendin e parafundit.

Megjithatë, këto eliminatore nuk konsiderohen si dështim nga sulmuesi i Shpresave, Emir Sahiti i cili në një intervistë për “VipSport.al”, shprehet se kuqezinjve u ka munguar vetëm fati, ndërkohë që zbulon edhe se ka pasur kërkesa nga Kosova dhe Maqedonia për shërbimet e tij.

Emir, u mbyllën edhe eliminatoret e Europianit. A e konsideron dështim ecurinë e Shqipërisë?
Po e vërtetë që janë mbyllur, por nuk do ta konsideroja si dështim eliminimin sepse në çdo ndeshje kemi luajtur me gjithë zemër dhe kemi dhënë maksimumin.

Atëherë, çfarë i mungoi ekipit për të marrë rezultate pozitive?
Siç e thashë edhe më lart, ne kemi dhënë maksimumin dhe kemi bërë një lojë të mirë por na ka munguar vetëm fati dhe asgjë tjetër.

Shumë futbollistë, i japin fund aventurës me Shpresat. Kush mendon se mund të jetë i nevojshëm për Kombëtaren A?
Po, shumë i japim aventurës me Kombëtaren U21 por dihet se nëse luajnë në ekipet e tyre mirë, mund t’i thërrasë edhe Panuçi. Futbollit asnjëherë nuk i dihet dhe mund të them se ka shumë lojtarë të mirë që mund të luajnë pa problem te Kombëtarja A.

A keni pasur kontakte ose një ftesë nga Kosova dhe Maqedonia?
Në fakt kam pasur kontakte, por e kam bërë zgjedhjen time dhe jam i përqendruar vetëm te U21 i Shqipërisë dhe tani për tani e kam mendjen vetëm të luaj me këtë ekip për të arritur qëllimet që kemi.

Si po ecën aventura në kampionatin kroat?
Aventura po ecën shumë mirë, gjithçka shkon shumë mirë dhe po luaj rregullisht me Hajduk II. Kam shënuar edhe gola dhe ndihem mirë aty.

Kur do ta shohim Sahitin të luajë me ekipin e parë të Hajdukut?
Shumë shpejt do të kaloj te ekipi i parë i Hajdukut, duke qenë se besoj në aftësitë e mia dhe jam i bindur se shumë shpejt, do të hedh hapin tjetër. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories