Intervista/ Fidan Aliti: Skënderbeu i mbushur me talente, në dimër bëj hapin e madh

Gjatë merkatos së verës Skënderbeun e braktisën disa lojtarë të rëndësishëm, të cilët, duke parë situatën e klubit korçar pas dënimit nga UEFA për 10 vjet nga Kupat e Europës, zgjodhën ta vazhdojnë karrierën diku tjetër, madje edhe korçarët.

Ndryshe veproi Fidan Aliti. Mbrojtësi kosovar, një nga më të mirët e korçarëve aktualisht, por dhe të kampionatit në përgjithësi, vendosi të qëndrojë dhe ta ndihmojë ekipin juglindor me përvojën e tij. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Aliti tregon pse vendosi të qëndrojë, çfarë e dallon Skënderbeun aktual nga i vjetshmi, rivalët për titullin kampion në Superiore, merkaton e dimrit dhe kombëtaren kosovare. Ja intervista e tij e plotë:

Fidan, është mbyllur faza e parë e kampionatit dhe Skënderbeu mban vendin e dytë. Çfarë e dallon këtë ekip nga ai i sezonit të kaluar?

Skënderbeu i sezonit të kaluar ishte një ekip shumë i fortë, me shumë përvojë. Rezultatet flasin vetë. Kurse Skënderbeu aktual ka në gjirin e tij shumë lojtarë të rinj të talentuar. Është diçka që përputhet me politikën e klubit dhe është diçka e mirë. Grupi i lojtarëve ndryshon, por psikologjia e ekipit mbetet e njëjtë. Skënderbeu është plot me talente.

Cili nga lojtarët e rinj ju pëlqen më shumë?

Janë disa të rinj me kualitet, por nuk dua të përmend emra, nuk është mirë të bëj dallime.

Ju jeni një nga lojtarët më të mirë të Superiores. Pse vendosët të qëndroni, kur shumë lojtarë të tjerë ikën nga Skënderbeu disa muaj më parë?

E kam thënë disa herë dhe e përsëris: unë i detyrohem shumë Skënderbeut si ekip. Kur unë të largohem nga Skënderbeu, duhet të jemi të gjithë të kënaqur, presidenti, klubi dhe unë. Kam ardhur këtu të jap kontributin tim, por edhe ekipi më ka ndihmuar shumë, ndaj vendosa të vazhdoj të luaj për Skënderbeun. Në dimër ndoshta do të bëj një hap përpara në karrierë.

Mund të lëvizni nga Skënderbeu në merkaton e janarit?

Besoj se po. Nuk mund të flas për oferta konkrete, por besoj se është momenti që të lëviz, por siç e thashë, duke lënë të kënaqur edhe Skënderbeun.

Jeni aktivizuar deri tani në qendër të mbrojtjes, por edhe në të majtë. Ku ndiheni më mirë?

Në qendër, pasi unë jam një qendërmbrojtës. Kam luajtur në krahun e majtë, sepse ka pasur nevojë ekipi dhe do ta bëj sërish, nëse do të jetë e nevojshme.

Cili ekipi mendoni se është rivali juaj kryesor për titullin kampion?

Partizani besoj, sepse e ka treguar deri tani me rezultatet që ka arritur. Kryeson renditjen dhe mendimi im është se me këtë ekip do të rivalizojmë, por kam shumë besim se në fund do të fitojë përsëri Skënderbeu. Titulli është çështje mentaliteti dhe psikologjie dhe këtë e kemi ne. Skënderbeu ka mentalitet fituesi.

Me Partizanin ndesheni javën e ardhshme. Si e parashikoni këtë sfidë?

Do të jetë ndeshje e fortë, sepse ata kanë gjendje të mirë. Por ndeshjet e fundit kanë folur për ne dhe besoj se kështu do të ndodhë edhe këtë radhë. E them përsëri, është psikologjia që bën diferencën. Ne kemi treguar se sa herë kemi dëshirën dhe egon për ta fituar një ndeshje, ia arrijmë qëllimit me atë që japim në fushë.

Ju jeni titullar edhe me Kosovën. Si ju duket ekipi pas ndeshjeve të deritanishme në Ligën e Kombeve?

Kosova është një ekip me kualitet, por mbi të gjithë me një moshë mesatare të re, dikur te 24-25 vjeç. Kjo është diçka shumë pozitive për të ardhmen. Për kualitetin që ka Kosova flasin rezultatet vetë dhe jam i kënaqur që po ecim mirë.

Ju mungojnë futbollistët kosovarë te Skënderbeu?

Po, vitin e kaluar kemi qenë më shumë futbollistë nga Kosova, pasi ishin edhe Gavazaj e Sahiti. I ruajmë kontaktet dhe flasim shpesh, por futbolli kështu është. / Vipsport.al/F.R