Ibra nuk ka dyshime: Murinjo është emri i duhur për Mançester Junajtid

Në Angli prej muajsh ka filluar diskutimi nëse Zhoze Murinjo duhet të vazhdojë apo jo në pankinën e Mançester Junajtid. Sipas një prej ish-yjeve të kësaj skuadre, Zlatan Ibrahimoviç, trajneri duhet të vazhdojë në drejtim pasi është ai personi i duhur që të kthejë këtë klub te sukseset.

“Mendoj se ka cilësitë që duhen për të fituar kampionatin anglez. Ai është trajneri i duhur për këtë klub dhe këtë skuadër. Por nuk mund të bësh mrekulli nëse skuadra nuk është e fortë aq sa duhet”, ishin fjalët e suedezit.

“Pse është kaq special Murinjo? Së pari se është një fitues, ka mentalitet të tillë. Ai bën gjithçka për të fituar. E njeh lojën, e lexon mirë, nuk manipulon lojën, por mendjen e lojtarëve të tij. Më kujtohet kur erdhi te Interi për herë të parë, i bëri të gjithë të japin 200%, jo për skuadrën, jo për klubin, për atë. Kjo e bën kaq të veçantë”, shpjegoi Ibrahimoviç. /vipsport.al/