Goditje e rëndë për Tiranën, “blerja e verës” kthehet vitin tjetër

Klubi i Tiranës nuk po kalon një moment të mirë dhe telasheve me rezultatet që nuk po vijnë apo diskutimet nëse Ze Maria do të shkarkohet apo jo, u është shtuar edhe ai i një dëmtimi të një prej emrave që mendohej se do të bënte diferencën te bardheblutë. Mesfushori ofensiv Namdi Oduamadi me shuam mundësi ka mbyllur vitin dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë para 2019-ës me skuadrën e Tiranës.

Futbollisti nigerian i afruar me bujë gjatë verës, duke llogaritur se në CV kishte të shkruar se ishte pjesë e Milanit në të kaluarën, sapo kishte filluar të tregonte pak nga cilësitë e tij në fushën e lojës pasi kaloi periudhën e ambientimit me kampionatin tonë.

Por në ndeshjen e fundit ndaj laçit ai u dëmtua në shpatull dhe pas kontrolleve më të hollësishme mjekësore rezultoi se ka pësuar thyerje të klavikulës. Ajo kërkon terapi, pasi si fillim duhet të qëndrojë disa javë në regjim shtrati.

Sigurisht një lajm aspak i mirë për bardheblutë, të cilët duhet të fillojnë të bëjnë planet pa të për pjesën e mbetur deri në janar, pasi kthimi i tij në fushë nuk parashikohet në pjesën e parë të sezonit. /vipsport.al/