Gjici konfirmon milionat e eurove për stadiumin e Kukësit: Qeveria lëvroi fondin

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ishte i ftuar në emisionin “Sport News”, ku foli për disa tema të kampionatit shqiptar. Më tepër, presidenti i klubit verilindor u ndal te tifozët e tij, që sipas tij nuk e mbështesin skuadrën.

Po ashtu, Gjici foli edhe për momentin pozitiv që po kalon Partizani, duke i thurur elozhe trajnerit Gega dhe drejtori Olsi Rama. Mes të tjerash, presidenti i Kukësit tha:

Tifozët: “Unë kam provuar dy rrugë, kam lënë edhe stadium falas pa pagesë gjithë sezonin. Vinin edhe te ne, por jo si në fillim. Me sa duket erdhi momenti kur u ngopën dhe tani mjaft. Por ekipi duhet ndjekur gjithmonë, jo vetëm kur shpallesh kampion. Ekipi duhet mbështetur sidomos kur është në vështirësi. Sot te Partizani, ndonëse ndaj Luftëtarit, stadiumi duhej të ishte plot.

Partizani: “Partizani ka gjetur dy njerëz që kanë meritë në këtë rrugë. I pari është Gega, pastaj që kur Olsi Rama mori ekipin, po ecin mirë. Në sezonin e kaluar kishin probleme, këto dy individë kanë sjell këto rezultate.

Ato lojtarë ka pasur Partizani edhe vite të tjera, i ka pasur edhe më të mirë në vite të tjera, shumë më të mirë se ata. Por e humbnin kohën duke u marrë në deklarata, tani po merren me ekipin. Këtë meritë e ka trajneri Gega, që padiskutim i ka dhënë një tjetër lojë Partizanit, por edhe drejtori që ka ditur si të menaxhojë klubin”.

Për trajnerët e rinj në futbollin shqiptar
“Realisht nuk e prisja që Shehi të ecte kaq mirë, se të jesh direkt nga lojtar në trajner, vetëm unë e kam bërë Duron që nuk kishte asnjë ditë trajner. Shehi po ecën mirë dhe uroj që të ecë, të rinjtë janë të mirë në fakt se nuk po gjenim trajnerë. Është edhe Shkëmbi, apo të tjerë. Këto të vjetrit kanë kaluar, u është mërzitur puna, duan salltanete. Për këshilltarë mund t’i marrësh, por në punë jo .

Pastaj eksperienca duhet, se sporti nuk është thjesht të punosh e punosh, por edhe të kesh eksperiencën brenda. Ai nuk i ka trajtuar si trajner lojtarët, por si shokë dhe u ka marrë 100% të gjithëve, ka bërë mirë, shumë mirë. Them se Skënderbeu, pavarësisht se nuk ka stofin e viteve të kaluara, do të jetë aty. Prandaj ka përfituar Partizani, se as Kukësi e Skënderbeu nuk kanë formën e kaluar. Por dardha e ka bishtin mbrapa, avash-avash. Nëse Partizani merr 2-3 sulmues të mirë po, por me këta sulmues… Më thoni se kush është sulmuesi i mirë?

Rexhinaldo është padiskutim sulmues i mirë, por nuk është ai që tërheq ekipin, që shënon ndeshje për ndeshje. Ne vuajmë për sulmues, të gjithë bëjnë lojë, problemi është kush e bën golin. Kush ka sulmuesin më të mirë, ai merr kampionatin, deri tani nuk i ka askush”.

Për paraqitjet e Latif të Teutës
“Çfarë sulmuesi është ai, ka bërë ca gola kur kundërshtari ,ka marrë të kuq. Pse nuk e mori me Kukësin? A e di kur e shohim që është i mirë një sulmues, kur të bëjë 20 gola. Sulmues të mirë nuk janë ata që bëjnë 10 gola, sulmuesi në Shqipëri duhet të bëjë mbi 20 gola që të themi kështu”.

Për duelin e të hënës mes Flamurtarit dhe Tiranës
”Unë jam me optimizmin që Flamurtari  nuk do e ketë të lehtë me Tiranën, për të mos thënë që mund të fitojë Tirana. Tirana nuk del pa pikë nga Vlora. Me çfarë kam marrë informacion për trajnerin, do të futë një klimë si e Gegës, edhe ky do ta dijë të menaxhojë ato lojtarë që ka. Ka disa probleme në mbrojtje e mesfushë, por besoj se Tirana do shkojë me grintë tjetër në Vlorë e nuk do të dalë pa pikë nga Vlora”.

Për rikonstruksionin e stadiumit
“Stadiumi është vendosur përfundimisht të rikonstruktohet, është marrëveshja me qeverinë dhe FSHF. Është lëvruar fondi nga qeveria, 5,6 milionë euro për stadiumin e Kukësit. Do të mundohemi sa më shpejt që të kthehemi në Kukës për ndeshjet, shpresojmë të mbyllet deri nga fundi i majit, por janë edhe çështje teknike. Por e rëndësishme është që qeveria ka lëvruar fondin”.

/Vipsport.al/