Gigs flet për kapitenin e tij: Ai nuk është i shqetësuar për problemin e kontratës

Kombëtarja e Uellsit, e drejtuar nga legjenda e Mançester Junajtid, Rajan Gigs ka nisur grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Flitet se Garet Bejl nuk do të jetë i gatshëm për Uellsin, por kapiteni i tyre, Aron Ramsej po.

Ylli i Arsenalit po kalon një moment të shkëlqyer në fushat e lojës, por jashtë saj, jo dhe aq. 27-vjeçari është në vitin e fundit të kontratës me “Topçinjtë” e Londrës, të cilët nuk kanë preferuar t’i rinovojnë, duke krijuar një situatë kaotike për mesfushorin.

Por trajneri i Uellsit, Gigs, tha se kontrata e Ramsej nuk është aspak problem për lojtarin, i cili duket shumë i përqendruar në fushën e lojës. “Nuk e di ç’po ndodh me kontratën e tij në klubin ku luan, por mua më intereson kombëtarja. Ai është i rëndësishëm për ne dhe është kapiteni ynë. Më mjafton fakti që nuk duket aspak i shpërqendruar”,- tha Gigs para mediave./Veronik Istrefaj – vipsport.al/