Gega flet hapur: S’ka vend për eufori te Partizani, presidenti nuk ndërhyn teknikisht

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka dalë para pak minutash në konferencë shtypi bashkë me mesfushorin sulmues, Jasir Asani. Ai ka folur për të gjitha temat, që nga gjendja e ekipit, mungesa e kapitenit Hoxha, ndeshja me Luftëtarin dhe deri te darka me presidentin Gaz Demi, të cilin e vlerëson për faktin se nuk ndërhyn teknikisht, diçka e rrallë në Shqipëri, sipas trajnerit të të kuqve:

“Ndërprerja e kampionatit? Besoj se ishte mirë për një pjesë të mirë të grupit, por unë kisha dëshirë të isha gjithë kohën në punë, që të mos humbja ritmin dhe të mbanim po atë vëmendje për ndeshjet e kampionatit. Përveç Hoxhës, çdo gjë ka shkuar në rregull. Të gjithë themi se mungesa e tij nuk na shqetëson. Duhet të mbështesim portierin tjetër, Xhikën, i cili është sportist dhe njeri shumë i mirë. Portieri ka një rol të tillë, mund të rrish 6 muaj pa luajtur dhe pastaj të vjen rasti të tregosh veten.

Ekipi ka besim te Xhika, dhe unë kam besim tek ai. Albanin do ta presim, shumë shpejt do të jetë në fushë. Ai po bën një terapi, pasi ka një tërheqje ligamenti, me sa di unë, por për pak ditë nis stërvitjen, shpresojmë të jetë në ndeshjen me Skënderbeun.

Kardozo? Nuk është ende 100% gati, të shohim si do të shkojë. Është pjesë e Partizanit dhe kjo është e rëndësishme. Po rritet, pasi ka pasur një operacion shumë të vështirë. Do të shikojmë. Në çdo ndeshje kemi pasur problemet tona, jemi munduar t’i analizojmë me detaje dhe të korrigjohemi. Në asnjë vend të botës, edhe te ne, nuk mund të mendosh që ke bërë ndeshjen perfekte.

Luftëtari është një sfidë e re dhe duhet ta përgatisim ekipin për këtë ndeshje. Nuk kemi asnjë shqetësim, përveç Hoxhës, por e përsëris, kemi besim të plotë se Xhika do të bëjë punën e tij. Partizani ka histori pa fund. Gjirokastra në ato vite ka qenë risia e kampionatit, ka pasur lojtarë jashtëzakonisht të mirë, si Braho, Seiti, Kalluci, që nuk kthehen më. Ka pasur rezultate surprizë, por kanë kaluar shumë kohë dhe është një situatë tjetër.

Secili ka perceptimin e tij, Sefedeni ka qenë pjesë e Partizanit, por  është gjirokastrit dhe do të mbështesë ekipin e vet. Është mendimi i tij, po ne luajmë në fushën tonë dhe duhet të fitojmë, e kemi potencialin për ta bërë këtë gjë. Vazhdimisht jap llogari për ditë të këqija, dëshiroj të mos jem pjesë e atyre ditëve. Është një situatë tjetër dhe duhet të jemi vigjilentë. Të jemi me “këmbë në tokë” dhe të vlerësojmë çdo ekip që është përballë nesh.

Nuk kam asnjë koment për Cungun. Eshtë trajneri i Kukësit, ai ka perceptimin e tij dhe është mënyra e tij si e karikon dhe motivon  ekipin e tij. Sot jemi ne në vend të parë, uroj të vazhdojmë kështu, por nuk i dihet.

Çdo stërvitje mund të ketë eufori dhe detyra e trajnerit është që gjërat të mos dalin jashtë kontrollit. Gjërat kanë ecur mirë dhe lojtarët po rriten nga ana profesionale, nuk ka vend për eufori. Nuk kam asnjë njoftim për çështjen e Asanit. Mund të gjendet gjuha e përbashkët dhe nëse është diçka e mirë për të dyja palët, pse jo. Nuk di asgjë për këtë, Asani është këtu, pjesë e ekipit.

Jam i detyruar ta përsëris se Hebaj është 20 vjeç dhe ka shumë rrugë të gjatë për të bërë, nuk duhet ta rëndojmë. Mund të ndryshojë dhe besoj se do të evoluojë shumë shpejt për mirë. Nuk kam menduar asgjë për janarin, mendoj vetëm për Gjirokastrën. Kur të kemi hapësirë, do të flas me klubin. Kardozo do të kthehet dhe loja jonë nuk ka të bëjë me sulmuesin e racës, sepse luajmë si grup.

Nuk jam njeri tavolinash, por kur punon për një kohë të gjatë… Zoti Demi organizoi atë darkë dhe ishte diçka e bukur për ekipin, pa e tepruar. Shpresojmë të kemi darka të gëzuara. Asnjë lloj presioni, asnjë bisedë për sportin nuk u bë. Nuk kemi frikë nga darkat. Ishte diçka e mirë dhe tani e kemi lënë prapa. I pari i familjes pyet për problemet dhe kërkesat. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, ai është mbështetës kryesor i klubit, një biznesmen i suksesshëm. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur, sepse nuk ndërhyn teknikisht në ekip, gjë e rrallë në Shqipëri. E di si funksionoin dhe ua ka lënë njerëzve që ka punësuar”, – ka theksuar mes të tjerash në konferencë trajneri Gega. / Vipsport.al/F.R

more recommended stories