Gasperini e ka të qartë me Gjimshitin: Vetëm një pozicion në fushë për të

Berat Gjimshiti e nisi mirë sezonin duke fituar disa minuta në javët e para të kampionatit, por me kalimin e javëve, nisi të qëndronte më shumë në stol. Trajneri i Atalantës, Gasperini, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes ndaj Kievos, ka folur në lidhje vendosjen e Gjimshitit në fushë.

Ai ka shpjeguar se në rast se aktivizon Gjimshitin, duhet t’i lëvizë pozicionin futbollistëve të tjerë, pasi mbrojtësi shqiptar mund të luajë vetëm në qendër të mbrojtjes dhe jo në pozicione të tjera. Edhe me Kombëtaren, Gjimshiti luan si qendërmbrojtës.

“Xhanluka mund të luajë në çdo pozicion pasi nuk e ka problem, ndërsa Gjimshiti vetëm në një pozicion. Me aktivizimin e Beratit si qendërmbrojtës, më duhet të kaloj të majtë Palominon”, tha mes të tjerash Gasperini. /Erjon Allaraj-VipSport.al/