FOTO/ Një koreografi gjigande e çuar dëm, tifozët e Milanit fitojnë në tribunë

Derbi i Milanos si zakonisht, edhe këtë radhë dhuroi spektakël si ën fushë, po ashtu edhe në tribuna, ku kanë spikatur dy koreografitë gjigande, të shpalosura nga tifozeritë përkatëse. Duke qenë se Interi ishte ekipi pritës në këtë takim, pjesa më e madhe e stadiumit iu përkiste pikërisht atyre, ndërkohë që Milani si zakonisht, ka pasur pjesën jugore të stadiumit.

“Curva Nord 69”, tifozeria e Interit kishte menduar të paraqiste para tifozerisë kuqezi, një gjarpër të madh që simbolizon klubin e Interit dhe si ide ishte brilante, por tifozët e Milanit, duket se kishin dijeni në lidhje me atë që interistët do të shpalosnin.

Të vendosur në pjesën jugore, “Curva Sud Milano”, kishte si koreografi dy duar gjigante, që mbanin dy copat e gjarprit të Interit, gjë e cila iu dha triumfin në tribunë. “Te miku, nuk shkohet me duar bosh”, shkruanin tifozët e Milanit, të cilët për fatin e tyre të keq, nuk e shijuan dot derbin edhe në fushë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/