FOTO / Mozambiku në Europë!? Te Kukësi bëjnë lëmsh gjeografinë

Klubit të Kukësit këto ditë do t’i mungojnë dy futbollistë të cilët janë të grumbulluar me ekipet kombëtare përkatëse, arsye për të cilën klubi dukshëm që krenohet, në një moment që kampionati shqiptar injorohet nga përfaqësuesja shqiptare. Por në radhët e verilindorëve duhet të bëjnë paksa hesapet me gjeografinë, pasi njoftimi i tyre për tifozët është i gabuar.

Kështu, klubi ka bërë të ditur se Faton Maloku dhe Rexhinaldo janë grumbulluar për Ligën e Kombeve me përfaqësueset përkatëse. Diçka e çuditshme, pasi Rexhinaldo është nga Mozambiku dhe ky vend është në kontinentin afrikan dhe sigurisht nuk ka asnjë lidhje me Europën. Në fakt, ai do të luajë në Kupën e Kombeve të Afrikës ndaj Namibisë, ndryshe nga Maloku që është pjesë e Kosovës.

NJOFTIMI I KUKËSIT

Dy lojtarë të FK Kukësit në listën e përfaqësueseve për Ligën e Kombeve, sulmuesi Reginaldo Fait-te si dhe portieri Faton Maloku janë përfshirë në listën e 25-së lojtarëve të përfaqësuesve respektive për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Konkretisht, përfaqësuesja e Mozambikut do të zhvillojë dy ndeshje me përfaqësuesen e Namibisë ndërkohë që ajo e Kosovës do të përballet me përfaqësuesen e Maltës dhe të Ishujve Faroe.

FK Kukësi i uron dy lojtarëve përfaqësim pozitiv me fanellat e ekipeve respektive!