FOTO/ Asnjë minutë për Vidal ndaj Seviljes, mesfushori ia fut gjumit pas ndërrimit të tretë

Barcelona fitoi me Seviljen, por jo gjithçka shkoi mirë për katalanasit. Mesi u dëmtua dhe do të qëndrojë tri javë jashtë, që do të thotë 6 ndeshje të rëndësishme për Barcelonën, në kampionat dhe Champions.

Por ka edhe një tjetër çështje që shqetëson, ajo e Arturo Vidalit, i cili qëndroi në stol edhe këtë radhë. Valverde ishte shumë i qartë: mesfushori duhet ta meritojë vendin e titullarit dhe reagimet e lojtarit ndaj vendimeve të tij nuk i kanë pëlqyer trajnerit. Kështu, edhe me Seviljen Vidal e përfundoi ndeshjen aty ku e nisi, në stol.

Ishte një mbrëmje pak e gëzueshme për kilenin, siç shkruan “Marca”. I kapur shpesh nga kamerat, Vidal nuk e ka fshehur aspak zhgënjimin, disomos pas zëvendësimeve të kryera nga Valverde. Trajneri i Barcelonës u gjend në vështirësi pas dëmtimit të Mesit, por në pjesën e dytë, pas rezultatit 3-0, i dha mesazhin e qartë për të disatën herë Vidalit: doli nga fusha Artur dhe në vend të tij u fut Serxhi Roberto.

Një mbrojtës krahu i adoptuar si mesfushor qendre dhe jo Vidal në fushë. Një goditje e fortë për këtë të fundit. Kur trajneri Valverde i kërkoi Munirit të bënte nxemjen, shpresat e kilenit për të hyrë në fushë u prenë dhe ai ia futi gjumit. Telekamerat e kanë fiksuar me sy të mbyllur, të painteresuar fare për ndeshjen. Ajo dremitje pas ndërrimit të fundit patjetër që nuk do të kalojë lehtë. Deri tani, asnjë postim në rrjetet sociale. / Vipsport.al/F.R