Formacioni ideal / Ja cilët janë lojtarët më të mirë të javës së 9 në Superiore

Java e 9 në Kategorinë Superiore ka mbyllur edhe fazën e parë të kampionatit dhe ka treguar se në cilat pozita e shohin veten skuadrat deri në këtë pikë të sezonit në krahasim me objektivat që kishin në fillim. Ka qenë një javë ku nuk kanë munguar paraqitjet individuale cilësore, me futbollistë që kanë bërë diferencën në çdo repart.

Vip Sport ju tregon më poshtë një listë me futbollistë të cilët kanë bërë diferencën në skuadrat përkatëse në këtë javë, duke i ndihmuar që të marrin rezultate pozitive për të mbyllur sa më mirë fazën e parë të Superiores.

PROTAGONISTËT

Aldo Teqja – Skënderbeu – Nëse korçarët vazhdojnë të luftojnë për titull në këtë sezon, është edhe se falë portierit të talentuar nuk u ndje aspak largimi i Shehit nga katërkëndori i tyre. Ka qenë shpesh vendimtar, por këtë javë ndërhyrjet e tij ndaj Kamzës në minutat e fundit ishin një garanci për të siguruar tri pikët.

Ditmar Bicaj – Teuta – Ndaj Laçit ishte thuajse i pakalueshëm. Ndaloi shpesh në momentet më të mira sulmuesit e shpejtë kurbinas, duke evituar probleme në katërkëndorin e Hidit. Me kalimin e Osmanit në mesfushë, ai është tani lideri i prapavijës durrsake.

Ylli Shameti – Kukësi – Një asist dhe një gol. A mund t’i kërkohet më shumë një qendërmbrojtësi? Fitorja e kësaj jave e Kukësit është padyshim meritë e kapitenit i cili ka marrë shpesh skuadrën mbi shpatulla në momentet më të vështira.

Franc Veliu – Flamurtari – Në dy momente ndërhyrjet e tij kanë shpëtuar katërkëndorin e Koliçit nga gjuajtjet e Tiranës, duke i hequr topin nga këmbët kundërshtarëve brenda zonës me një saktësi të admirueshme. Edhe këto kanë vlerën e një goli, apo jo?

Bruno Telushi – Partizani – Mbetet një nga shtyllat e mesfushës së Partizanit. Nga futbollist i pritur me skepticizëm për shkak të problemeve fizike nga tifozeria e kuqe, është kthyer në një lider në lojë e tashmë edhe si golashënues. I afruar për të mbrojtur, po jep një kontribut të rëndësishëm edhe në fazën e realizimit.

Alesio Hyseni – Flamurtari – Prej vitesh pritet shpërthimi i tij në Vlorë, më në fund erdhi momenti që djaloshi të tregojë vlerat që ka dhe me Dajën ka gjetur vazhdimësinë që i mungonte duke ulur në stol lojtarë më me emër e eksperiencë. Ka ende shumë për të bërë për t’u kompletuar, si për shembull të ruajë qetësinë para portës. Por ndaj Tiranës tregoi personalitet dhe ishte protagonist në aksionin e golit që i dha pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij.

Gerhard Progni – Teuta – Kur durrsakët shfaqen mirë në fazën sulmuese, do të thotë se Progni ka qenë në një ditë të mirë. Shënon dhe jep asist, tërheq ekipin përpara dhe i jep qetësi lojës së Teutës. Me një ekip të ndërtuar nga e para, eksperienca e tij dhe njohja e ambientit po rezulton vendimtare.

Uilliam Kordeiro – Mbrojtësi i transformuar në mesfushor, rezulton të jetë një prej lojtarëve më në formë të kësaj skuadre në këtë edicion. Duhej të ishte një garanci më shumë në prapavijë, po kthehet thuajse në çdo ndeshje në një prej armëve më të forta në fazën ofensive, edhe duke luajtur në krahun e kundërt.

Emanuel Mensah – Partizani – Për momentin duket ai lojtari që përshtatet më mirë me treshen Mala-Asani-Bardhi në rreshtimin e Partizanit, duke kuptuar më mirë rotacionin që po përdor përpara skuadra e të kuqve. Nëse vazhdon me këto ritme, edhe në shënimin e golave, Hebaj e Çinari duhet të presin radhën për të siguruar një vend në formacion.

Dejvi Bregu – Skënderbeu – Prej shumë javësh kishte qëndruar në heshtje por i kthehet paraqitjeve pozitive dhe golave me “specialitetin” e tij, goditjen e dënimit. Fraza “i meritoja zëvendësimet” dhe përqafimi me Shehin, tregon më së miri se lojtari është bërë plotësisht pjesë e kauzës së Skënderbeut dhe është gati të marrë përgjegjësitë që i takojnë në ecurinë e korçarëve.

Amadu Latif – Teuta – Dy golave me Kastriotin i shton këtë javë dy të tjerë ndaj Laçit. Duket një lojtar krejtësisht ndryshe nga ai i cili shpërdoronte raste pa fund para porte në fillimin e kampionatit. Mbyll fazën e parë si golashënuesi më i mirë i Superiores. /vipsport.al/