Formacioni ideal / Ja cilët janë lojtarët më të mirë të javës së 8 në Superiore

Java e 8 e Superiores ka filluar të përvijojë emrat e skuadrave që luftojnë për majat e klasifikimit, por edhe ato të cilat janë ende larg pretendimeve të tyre. Të gjitha duket se janë të varura nga paraqitjet e lojtarëve që kanë në përbërje, në një mënyrë apo një tjetër, edhe pse futbolli është lojë kolektive.

Vip Sport ka përzgjedhur në vijim atë që është formacioni ideal i javës, për paraqitjet që kanë bërë duke rezultuar një ndihmë më shumë me skuadrat e tyre, apo edhe me faktin se janë treguar liderë në fushë.

PROTAGONISTËT:

Gentian Selmani – Laçi – Vazhdon të dhurojë javë pas jave paraqitet bindëse dhe Laçi i tij, falë edhe sigurisë në prapavijë mbetet ekipi i vetëm i pathyeshëm i Superiores. Nuk u largua nga Shqipëria në verë, por nuk është aspak çudi që ta bëjë një gjë të tillë në atë të vitit 2019, sidomos nëse vazhdon me paraqitje të tilla.

Kristi Vangjeli – Skënderbeu – I besohet shiriti i kapitenit në një ndeshje ku duhej medoemos rezultat që ekipi të mbetet në shinat e kreut dhe ai dhuron një paraqitje prej lideri, për të zgjidhur situatat e vështira të skuadrës së tij  apo edhe për të shtyrë para kur është e nevojshme.

Sodiq Atanda – Partizani – Prej dy vitesh dëgjohet gjithmonë e njëjta histori, se Atanda do të largohet pasi nuk luan. Por mbrojtësi jo vetëm qëndron, por çdo vit arrin të fitojë besimin e trajnerit te të kuqtë. Ndaj Kukësit shpesh zgjidhi situata të vështira për të kuqtë

Silvester Shkalla – Teuta – Tefik Osmani dhe Ditmar Bicaj mund të kenë shumë shpejt një rivalitet më të lartë për vendin në formacion pasi Shkalla përfitoi nga mungesa e mbrojtësit korçar për t’i treguar trajnerit Shkëmbi se mund të ketë besim te ai. Deri tani u ka lënë vendin në fushë “ekspertëve”, por nuk është çudi që të fillojë të aktivizohet me rregullisht.

Emiljano Musta – Flamurtari – Për disa javë u vërtit në mesfushë por nuk la asnjëherë shenjë te vlonjatët. Në momentin kur Daja e ktheu në krahun e majtë të mbrojtjes, duket një futbollist komplet tjetër. Mbron dhe sulmon si pakkush tjetër, kthehet në rrezik edhe në zonën kundërshtare. Kotobelli duhet të mendojë për një pozicion tjetër në fushë nëse do të luajë rregullisht.

Bruno Dita – Skënderbeu – Mesfushori Ishte nga lojtarët që kishte “treg” te Skënderbeu dhe jo pak skuadra në Superiore do të ishin gati ta merrnin nga radhët e korçarëve nëse palët do të vendosnin të ndaheshin në verë. Por Dita as e mendoi largimin dhe bëri mirë, pasi është kthyer në një nga liderët e grupit të të rinjve në radhët e Skënderbeut, edhe pse vetëm 25 vjeç. Nëse fillon të shënojë me rregullsi, nuk është çudi që t’i shtohet listës së atyre që pretendojnë që të testohen në kombëtaren shqiptare.

Redon Xhixha – Laçi – Ka një detyrë shumë të vështirë përpara, atë të zëvendësimit njëkohësisht të Uzunit dhe Rexhinaldos. Por sulmuesi i transformuar në mesfushor nga nevojat e skuadrës kurbinase po mundohet të tregojë se mund të jetë pikërisht ai talenti i radhës që del nga kjo skuadër, në mënyrën e tij, jo duke u munduar të bëhet një “fotokopje” e atyre që kanë qenë përpara, sidomos nëse vazhdon të shënojë më me rregullsi.

Esat Mala – Partizani – E cilësojnë si zbulimi i këtij sezoni dhe tashmë jo vetëm tifozët e Partizanit. Vrapon pa fund, driblon, gjuan dhe nuk tërheq kurrë këmbën kur bëhet fjalë për të ndërhyrë ndaj kundërshtarit. Shumëkush qeshi kur u hapën zërat vitin e kaluar se ndiqej nga klubet në Bundesligë, mjaftojnë vetëm 3 javët e fundit për të kuptuar shprehjen e famshme “ku ka zë, nuk është pa gjë”.

Sebino Plaku – Kamza – Pyetni çdo ekip kundërshtar në Superiore për Kamzën dhe gjëja e parë që do t’u përgjigjen kur të rreshtojnë ato që kanë frikë nga ekipi i Duros, është emri i Sebino Plakut. Si të mos jetë! Shënon me rregullsi, tërheq ekipin para në çdo moment dhe merr mbi vete përgjegjësitë e skuadrës, si në ndeshjen ndaj Flamurtarit këtë javë. Një lider.

Tomislav Bushiç – Flamurtari – Kthehet përsëri te rrjeta në një moment kur Flamurtarit i nevojitej më shumë, për të mos lejuar që ekipi të cilësohej në krizë. E ka kuptuar shumë mirë se duhet të jetë ai “motori” i këtij Flamurtari në momentet e vështira dhe jep shembullin me golin e shënuar në fundjavë apo duke krijuar shuam raste të tjera.

Amadu Latif – Kritikohet vazhdimisht se humb raste si pakkush tjetër. Por me dy golat ndaj Kastriotit largoi “renë”  që po vërtitej mbi klubin e Teutës dhe mund të sillte pasoja të rënda. Sigurisht, rastet vazhdon t’i gabojë, por nuk duhet harruar se është pikërisht ai që për momentin shfaqet si rivali kryesor i Rexhinaldos për “Këpucën e Artë”. /vipsport.al/