“Flamurtar që nuk më ngroh, Kukës për titull dhe besim te të rinjtë”, Halili komenton Superioren

Një nga portierët më të mirë që ka luajtur në Kategorinë Superiore, padyshim mbetet Argent Halili i cili me Kukësin arriti të shkruante historinë në Europë dhe protagonist ishte gardiani vlonjat i cili priti edhe një penallti ndaj Sarajevos në transfertë. Aktualisht, karrierën e vazhdon me Orikun në Kategorinë e Parë.

Në një intervistë për “VipSport.al”, Halili ka komentuar gjendjen aktuale të Superiores, duke bërë edhe një krahasim me kohën kur luante vetë për Kukësin apo Flamurtarin. Halili ka bërë edhe një parashikim sa i përket rënies nga Kategoria apo edhe titullit kampion këtë sezon/

U larguat nga Kategoria Superiore, por me çfarë po merret Halili këto kohë?
Aktualisht vazhdoj akoma me futbollin e luajtur. Jam pjesë e Orikumit ne Kategorinë e Parë. Kur ke një kohë të gjate me futbollin, është shumë e vështirë të shkëputesh. Do të vazhdoj të luaj akoma futboll, pse jo edhe të kthehem prapë në Superligë.

Kam përfunduar edhe kursin UEFA B dhe ndoshta në të ardhmen, mbasi të shkëputem nga futbolli i luajtur do të ushtroj profesionin e trajnerit. Dëshira është të merrem me trajnimin e portierëve.

Si të duket superiorja, sa ka ndryshuar nga koha kur luanit ju?
Niveli i Superiores sa vjen edhe rritet. Këtë sezon më pëlqen diçka në Superligë, aktivizimi dhe besimi që kanë trajnerët për lojtarët e rinj. Është shumë pozitive, pasi kjo lëvizje do të bëjë që të rriten sa më shumë lojtarët e rinj, njëkohësisht edhe rritjen e nivelit në Superligë. Pothuajse të gjitha ekipet po aktivizojnë lojtarë të rinj në moshë. Laçi, një shembull shumë i mirë. Po ashtu edhe Skënderbeu, Kukësi dhe Partizani, por nuk dua të lë pa përmendur edhe ekipet e tjera që po ju besojnë lojtarëve të rinj.

Pas shumë vitesh, te Kukësi është rikthyer Cungu i sukseseve. Si ju është dukur kjo lëvizje?
Rikthimi i profesor Armandos te Kukësi ka qenë një lëvizje e mirë, pasi ai e njeh shumë mirë atë ekip. Është një trajner shumë kërkues dhe i etur për sukses. Kam shumë besim se do të bëjë një punë shumë të mirë, por i duhet lënë edhe pak kohë në dispozicion pasi siç e thashë edhe më lart, te Kukësi ka lojtare të rinj në përbërje që u duhet akoma kohë.

Në çfarë vendi e sheh Kukësin këtë sezon?
Kukësin e shoh si një rival shumë të fortë për titullin kampion, pavarësisht dy humbjeve të fundit. Kampionati është shumë i gjatë dhe diferenca nuk është shumë e madhe me ekipin kryesues.

Sa i përket Vlorës, çfarë nuk po shkon me skuadrën?
Nuk di se si ta shpjegoj situatën në të cilën po kalon Flamurtari. Nuk është një ekip që të ngroh shumë për të pretenduar kreun e renditjes. Ndoshta dëmtimet e kanë penalizuar pak, por edhe ky nuk mund të jetë justifikim.

Deri tani, Flamurtarin nuk e shoh në garën për titull, pavarësisht se është shumë shpejt. Megjithatë, janë shumë ndeshje akoma deri në fund të kampionatit. Nëse Flamurtari në fund të kampionatit do të sigurojë një vend në Kupat e Europës duhet të jetë i kënaqur.

Kush mendon se bie nga Kategoria?
Shumë shpejt për të thënë se kush mund të bjerë nga Kategoria. Shoh shumë të rrezikuar Kastriotin. E kam shumë të vështirë për të thënë një ekip tjetër që mund të rrezikojë rënien. /Erjon Allaraj-VipSport.al/