Fitore që kushtojnë, edhe Maqedonia e pëson nga UEFA

Të shumta janë rastet, kur klubet e futbollit apo edhe Kombëtaret bien pre e dënimeve të UEFA-s për shkak të tifozëve dhe sjelljeve të tyre në tribunat e stadiumit. Kështu, përveç hetimit që është hapur për Rumaninë për shkak të koreve raciste në takimin ndaj Serbisë, edhe Maqedonia e ka pësuar nga institucioni më i lartë i futbollit europian.

Në dy takimet e fundit, që Maqedonia i luajtur në shtëpi në kuadër të Ligës së Kombeve, delegatët e UEFA-s kanë vënë re sjellje të gabuara të tifozerisë dhe në procesverbalin e takimit, janë shënuar të gjitha incidentet. Bëhet fjalë, për takimet ndaj Armenisë, ku Maqedonia fitoi me rezultatin 2-0 dhe ndaj Lihtenshteinit 4-1.

Në takimin e parë, tifozeria maqedonase ka përdorur mjete piroteknike siç janë flakadanët dhe tymueset, ndërkohë që në takimin e dytë, nga tribuna janë lëshuar lazera në drejtim të futbollistëve kundërshtar. Nga këto, pritet që Federata Maqedonase e Futbollit, të marrë një dënim monetar, së paku 20 mijë euro. /Erjon Allaraj-VipSport.al/