E teproi me rrjetet sociale, 4 muaj burg për Uanda Narën

Uanda Nara rrezikon 4 muaj burg sepse e ka tepruar me gjërat që ka publikuar në rrjetet sociale. Nuk bëhet fjalë për fotot tunduese që hedh herë pas here partnerja e Mauro Ikardit, por sepse ka publikuar të dhënat personale të ish-bashkëshortit të saj, Maksi Lopez.

Në një seancë gjyqësore që u zhvillua sot në Milano, prokurori i çështjes kërkoi katër muaj burg për Uanda Narën, pasi kjo e fundit kishte postuar në Twitter dhe Facebook, të dhënat personale të Maksi Lopez përfshirë edhe numrin e  celularit, duke nxitur ndjekësit e saj ta kontaktonin.

31-vjeçarja nuk ishte e pranishme në sallë, ndërsa avokati i saj ka kërkuar pafajësinë duke pretenduar se ajo nuk mbante përgjegjësi për të dhënat që ishin publikuar në rrjetet sociale, duke pretenduar se nuk vërtetohej dot se ka qenë ajo autorja e publikimit të tyre. “Nuk ekziston as prova që t’i ketë krijuar dëm Maksi Lopez”, tha avokati. Vendimi pritet të merret në një seancë të dytë që do të zhvillohet në fundin e tetorit. /vipsport.al/