E mbylli te Shpresat me dy gola, Seferi për Vip Sport: Sa emocione të luash për kombin tënd!

Një nga emrat më të spikatur të përfaqësueses Shpresa në këto eliminatore të Kampionatit Europian ka qenë padyshim Taulant Seferi. Djaloshi nga Kumanova ka qenë vazhdimisht një nga më të spikaturit në fushën e lojës me këtë ekip dhe sot festoi me dy gola ndeshjen e tij të fundit me Shpresat, meqë me mbylljen e eliminatoreve grupmosha e datëlindjes 1996 të cilës i përket edhe ai nuk mund të aktivizohet më.

“Jam shumë i lumtur që e po mbyll me dy gola me Shpresat. Nga kjo eksperiencë këtu kam mësuar shumë gjëra dhe e para është emocioni që kam shijuar duke luajtur për kombin tim”, janë fjalët e futbollistit për Vip Sport pas kësaj paraqitje të fundit të tij me fanellën kuqezi sa i përket kësaj grupmoshe.

Seferi largohet me një peng nga ekipi U21, por edhe me bindjen se ka parë të rriten shumë lojtarë cilësorë përkrah tij dhe emra të cilat do të paraqiten mirë në të ardhmen. “Më është dhënë mundësia të punoj me një trajner siç është Alban Bushi dhe me stafin e tij. Por këtu ka shumë lojtarë premtues për të ardhmen. Ndaj them se i lë Shpresat me një ekip shumë cilësor për të ardhmen, e çfarë është më e rëndësishme, me shumë çuna të mirë e të sjellshëm dhe profesionistë.

Më vjen keq dhe është zhgënjim i madh që brezi ynë nuk arriti më shumë rezultate. Kemi humbur në disa ndeshje, por vetëm nga gabime individuale, pasi kemi luajtur mirë. Nuk kemi luajtur keq në këtë edicion, thjesht na ka munguar fati”, tregon lojtari për eksperiencën e tij me U21.

Tani, për Seferin mund të hapen dyert e përfaqësues A, ku emri i tij është lakuar shpesh i një alternativë për repartin e avancuar, sidomos tani që është kthyer në formën më të mirë. Këtë e tregoi sot ndaj Estonisë me dy gola, mesazh për Panuçin që vazhdon të kërkojë lojtarë ofensivë me karakteristikat e tij. “Unë nuk do të kisha thënë se janë sinjal për të, ai është trajneri dhe ai vendos për të gjitha”, tregon me modesti Seferi. “Mua thjesht më mbetet të punoj më shumë për të arritur atje”, pranoi futbollisti i talentuar. Nëse vazhdon me këto ritme, nuk është çudi që të mbërrijë shpejt në këtë etapë të radhës të karrierës së tij. /Erjon Allaraj/vipsport.al/

more recommended stories