Dy talente kuqezi protagonistë në Itali me gola, njëri e “feston” me të kuq

Kampionati i të rinjve në Itali ka vënë sot përballë Empolin me Sasuolon, skuadra në radhët e të cilëve luajnë futbollistë të cilët veshin fanellat e përfaqësueseve të moshave.

Në radhët e Sasuolos aktivizohej si zakonisht nga minuta e parë mesfushori i talentuar Aristidi Kolaj, i cili pak kohë më parë ishte në grumbullim me kombëtaren U21 të Shqipërisë. Kolaj është një prej golashënuesve më të rregullt në kampionatin e të rinjve në Itali ndonëse vetëm 19-vjeçar dhe sot ka treguar përsëri aftësitë e tij duke fituar një penallti dhe transformuar atë saktësisht për të çuar rezultatin në 3-0 për skuadrën e tij në fundin e pjesës së parë të ndeshjes që zhvillohej në fushën e Empolit.

Në radhët e Empolit, një prej lojtarëve më aktivë në fazën sulmuese ishte talenti 17-vjeçar shqiptar Kleis Bozhanaj, pjesë e kombëtares U17 në edicionin e kaluar. Por ndeshja ndryshoi në fillimin e pjesës së dytë, kur në radhët e vendasve u aktivizua 16-vjeçari Kristjan Asllani, i cili ndonëse në moshë të re, arriti të rrezikonte disa herë portën e Sasuolos falë goditjeve të dënimit që ekzekuton me saktësi mbresëlënëse.

Me një goditje të tillë, ai arriti të shkurtonte shifrat në 3-2  kur regjistrohej minuta e 87 e ndeshjes, por vetëm një minutë më vonë, ai pa veten duke u larguar nga fusha e lojës me karton të kuq, pasi futbollisti i cili është grumbulluar me U16 dhe U17 të Shqipërisë, bëri një faull shumë të rëndë në tentativën për të rifituar topin dhe la skuadrën e tij me një futbollist më pak në fushë.

Megjithatë, pak çaste me vonë Empoli barazoi rezultatin duke marrë një barazim i cili i nevojitet për moralin pasi aktualisht kjo skuadër gjendet në vendin e parafundit në klasifikimin e kampionatit. /vipsport.al/