Duhej të rivalizonte Vllazninë, mbetet pa trajner dhe sulmuesi bën sherr me presidentin

Dy humbje radhazi në kampionat kanë sjellë lëvizjen e radhës në pankinën e një skuadre të Kategorisë së Parë. Bëhet fjalë për Besëlidhjen, një skuadër që mendohej se do të rivalizonte me Vllazninë për ngjitjen në Superiore, por është shumë larg pritshmërisë ndaj sot i ka dhënë lamtumirën teknikut Ndriçim Kashami.

Ky i fundit ka bërë të ditur largimin e tij nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, duke sqaruar se nga tani e tutje nuk do të ishte me trajneri i lezhjanëve, të cilët në 5 javët e para kanë marrë vetëm 6 pikë në kampionat, shumë larg çdo pretendimi për t’u ngjitur lart.

Por nuk mbaron me kaq. Sipas asaj që është mësuar sot, edhe sulmuesi kryesor i kësaj skuadre, Armand Pasha, me sa duket është pranë largimit bashkë me trajnerin pasi ka pasur një përplasje me presidentin e klubit lezhjan.

Kësisoj, skuadra përfshihet nga kaosi dhe duhet të fillojë të programojë gjithçka nga e para, me shpresën që me trajnerin e ri të arrijë të paktën të kthehet në grupin e skuadrave të pjesës së sipërme të renditjes. Ndeshja e radhës e Besëlidhjes është ajo ndaj Shënkollit, më datë 20 tetor. /vipsport.al/