Daja: Fiton ekipi me qëndrueshmëri mentale, Memës i uroj suksese pas ndeshjes me Flamurtarin!

Vlonjatët presin nesër Tiranën dhe duhet të fitojmë patjetër për të mbetur në katet e sipërme të renditjes. Trajneri Ilir Daja, në konferencën e zakonshme të shtypit para ndeshjes, theksoi se parashikon një ndeshje të vështirë, ku do të vendosin episodet, por edhe gjendja psikologjike.

Trajneri Daja nuk ka të gatshëm mbrojtësit Alla dhe Sirgi, por nuk kërkon të justifikohet me mungesat dhe beson te grupi që ka. Ish-ndihmësit të tij, Ardian Memës, i uron suksese pas ndeshjes në Vlorë:

“Gjithmonë ndeshjet mes Flamurtarit dhe Tiranës kanë qenë të vështira të interpretohen në fushë, kështu që edhe nesër kështu do të jetë për të dyja skuadrat. Flamurtari dhe Tirana kanë cilësi brenda, por kanë pasur edhe oshilacione në fushë në këto javë.

Do të jetë një ndeshje e luftuar, ku mendoj se do të vendosin episodet. Ekipi që do të ketë më shumë qëndrueshmëri mentale në këtë ndeshje, do ta fitojë atë. Na duhet të marrim rezultat pozitiv për të qenë sa më afër objektivave tona të sezonit.

Do t’i uroja suksese kolegut tim Mema, por pas ndeshjes me ne. E kam thënë këtë ne mediat e shkruara, po e them tani edhe në median vizive. Nuk na lejohet rezultat tjetër veç fitores, edhe pse një ndeshje i ka të tre rezultatet. Presim mbështetjen e tifozëve tanë dhe shpresojmë që të shkojmë te fitorja, por nuk duhet ta kemi në kokë gjithë kohën këtë gjë, sepse do të prishim punën që kemi bërë këto ditë. Nuk duhet të ngarkohemi me presion.

Mungesat? Nuk dua ta prek këtë pikë. Nuk jemi ankuar asnjëherë, por kemi hedhur në fushë lojtarë të rinj. Që nga java e parë e deri në të tetën, nuk kemi qenë me kontigjent të plotë, por nuk duhet ta kemi si justifikim. Me grupin që kemi, do ta përballojmë edhe ndeshjen e nesërme”, – ka theksuar mes të tjerash trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja. / Vipsport.al/F.R