Cungu: Sot nuk ishte ditë për futboll të bukur, por kampionati nuk fitohet duke luajtur keq

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, deklaroi se ndeshja e sotme ishte ndikuar shumë nga gjendja e terrenit në Fushë Krujë. Për “SuperSport” ai pranoi se nuk kishte shfaqur shumë lojë cilësore, por kishte qenë më i rëndësishëm rezultati përfundimtar.

“Ishte përgjigje sepse arritëm të kthenim rezultatin por në fakt nuk e prisja 45 minutëshin e parë pasi ishim të lehtë dhe xhentil si ekip. Kundërshtari ishte më agresiv dhe fitonte çdo top e prandaj na vuri në situatë jo të këndshme dhe shënoi gol.

Me hyrjen e Dzarias ishim më agresiv dhe pjesa e dytë foli për ne. Ndoshta edhe mund të humbnim ndeshjen dhe këtu nuk flas për penalltinë por për 2-3 raste në zonë, megjithatë mund të kishim shënuar më shumë.

Komplimente skuadrës për reagimin në të dytën, por ashtu duhet luajtur që nga fillimi jo kur pëson. Kukësi duhet të jetë afër kryesimit së tabelës dhe nuk duhet lejuar që të shkëputen kundërshtarët. Terreni nuk ishte i përshtatshëm për të luajtur bukur, por për të qenë agresiv. E kuptuam në pjesën e dytë se çfarë do të thotë të luash në terren të tillë.

Loja apo pikët? Normal që pikët janë ato që vlejnë. Futbolli luhet me dy porta dhe ai që shënon merr pikët. Nuk kemi qenë të kënaqur me rezultatet por më kënaq loja dhe këtë ia kam thënë futbollistëve. Mund të marrësh një ndeshje pa luajtur bukur por nuk merr kampionat, ndërsa kur luan bukur ke më shumë mundësi. Sot nuk flitej për futboll të bukur pasi fusha nuk lejonte këtë gjë.

Limaj apo Dzaria? Nëse keni parë në këtë fazë, Limaj ka luajtur për të qenë më prezent te porta kundërshtare dhe për të krijuar situata. Në Korçë dhe kundër Partizanit ka luajtur Dzaria. Edhe sot mendova atë gjë, pavarësisht se kundër Kastriotit. Shpesh herë ndërrimet janë të detyruara për shkak të lojtarëve të huaj dhe më duhen zëvendësime të detyruara sidomos në mesfushë. Lëvizja me Limajn hodhi poshtë idenë time.

Nuk kam problem vetëm në një individ apo raport por është problem i ekipit pasi kemi situata kur edhe mesfusha duhet të ndërhyjë në disa raste. U detyrua sot Rrumbullaku në një rast për të mbyllur aksione të tjera, dhe krahun e tij e la bosh. Ne nuk humbasim për një repart ose edhe individ të veçantë”, tha Cungu. /vipsport.al/