Çoi Keidi Baren te Malaga, akuzohet për pastrim parash për trafik droge me kolumbianët

Hoze Luis Kaminero është personi i cili bëri të mundur transferimin e Keidi Bares nga Atletiko Madrid te skuadra e Malagas. Ish-futbollisti i njohur spanjoll, tashmë drejtor sportiv i Malagas, ka veshur për shumë vite fanellën e Atletiko Madrid dhe falë lidhjeve të tij, gjeti mundësinë që të kalonte mesfushorin e përfaqësueses Shpresa në radhët e klubit të tij, nëpërmjet ekipit të të rinjve.

Por Kaminero për disa javë duhet të harrojë plotësisht çështjet e futbollit dhe të përqendrohet te disa të tjera shumë më të rëndësishme, pasi akuzohet se ka qenë pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal i cili bënte pastrim parash për trafikantët kolumbianë të drogës.

Prokurori i çështjes kërkon 4 vite burg për Kamineron, i cili në bashkëpunim me të tjerë, merrte dërgesa me euro me prerje prej 5, 10, 20 dhe 50 euro, për t’i kthyer në kartëmonedha prej 100, 200 dhe 500 eurosh, të cilat më pas transportoheshin në Kolumbi dhe Meksikë për përdorim nga kartelet.

Kaminero u arrestua nga policia në vitin 2008, pasi kishte me vete 58500 euro të gjitha në kartëmonedha prej 500 eurosh, të cilat po shkonte t’ia dorëzonte disa prej personave përgjegjës për transportin ndërkombëtar të parave në këtë grup kriminal.

Prokuroria po mundohet prej 10 vitesh të strukturojë çështjen dhe duket se më në fund ka zbuluar të gjithë elementët e atij grupi kriminal, pasi përkrah Kamineros, në gjykatë do të paraqiten edhe 13 të akuzuar të tjerë. /vipsport.al/