Bonuçi tregon ëndrrën e tij: Dua të bëhem trajneri i Juventusit

Të gjithë tifozët e Juventusit vazhdojnë ta shohin ende me dyshim për “tradhtinë” e tij me kalimin për një vit te Milani, por Leonardo Bonuçi nuk e fsheh që pret të kthehet në një legjendë të tifozerisë bardhezi e pse jo, edhe pasi të ketë mbyllur karrierën në futbollin e luajtur.

Në një intervistë për “Corriere Dello Sport”, ai ka zbuluar se një nga dëshirat e tij është të bëhet trajner i Juventusit në të ardhmen. “Dua të bëhem një trajner i rëndësishëm në një skuadër të madhe, mundësisht i Juventusit”, shpjegoi ai. “Po vëzhgoj dhe ruaj në mendjen time të gjitha sekretet e trajnerëve të ndryshëm, pastaj do të mundohem të jap më të mirën nga vetja. Shumë njerëz më thonë që do të bëhem trajner, unë kam dy vite që e mendoj. Do të ishte e bukur të vazhdoja në futboll kështu, ndoshta në Juventusin tim”, tha mbrojtësi.

Pas krahëve është lënë edhe debati gjithmonë i hapur me Alegrin, që shtyu fillimisht futbollistin të largohej nga Juventusi. “Alegri është një person inteligjent, për këtë arsye di të menaxhojë dhomat e zhveshjeve në një klub të rëndësishëm si i yni. Konflikti ynë? Mund të ndodhë që ekzistojnë momente tensioni, diskutimi. Por pastaj ka shtrëngim duarsh si persona të matur, qartësohen gjërat dhe ecet drejt të njëjtit objektiv”, ishin fjalët e Bonuçit. /vipsport.al/