Berisha te tifozët dhe “shoku” i Panuçit në pankinë, ja çfarë nuk u pa në televizor

Barazimi i Shqipërisë ndaj Jordanisë në takimin miqësor të luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, ka pasur jo pak momente pikante, të cilat nuk janë parë në televizor. “Vipsport.al”, ka menduar që t’iu sjellë disa nga momentet më pikante gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Jordanisë.

Megjithëse tifozët ishin në numër të pakët, Federata Shqiptare e Futbollit ka ndaluar që të hyjnë në stadium tifogrupin “Illyrian Elite”, tifogrup ky që ka qenë prezent në të gjitha ndeshjet e Kombëtares, madje edhe ën transferta.

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi duket se më në fund e ka gjetur një shok të vetin në fushën e blertë, duke qenë se ashtu si italiani, edhe trajneri i Jordanisë ka qëndruar gjatë gjithë kohës së këmbë, duke dhënë këshilla për futbollistët e tij.

Dëmtimi i Enea Mihajt ka qenë më i rëndë sesa dukej në fillim, pasi mbrojtësi është detyruar që të largohet me ambulancë drejt spitalit, për të marrë një kujdes më të specializuar.

Megjithëse ishte një ndeshje miqësore, “Tifozat Kuq e Zi” kanë qenë aktiv gjatë gjithë takimit duke mbështetur Kombëtaren, ndërkohë që në njërën pjesë të tribunës, ka pasur shumë fëmijë të vegjël.

Kristal Abazaj ka qenë i pranishëm në stadium për këtë ndeshje, duke u ulur në njërin cep të tribunës kryesore. Ai ishte i shoqëruar nga familjarët e tij. Sakaq, në tribunë kanë përfunduar edhe Ledian Memushaj dhe Herdi Prenga.

Disa tifozë kishin marrë një banderolë të madhe me shqiponjën e flamurit dhe në krah të shqiponjës shkruhej “Krenaria e Beratit, mirë se vjen në Kombëtare”. Ky dedikim i veçantë ishte për Myrto Uzunin, për të cilin kishte edhe shumë duartrokitje në momentin që debutoi.

Në përfundim të takimit, të gjithë futbollistët janë larguar në drejtim të dhomave të zhveshjes, ndërkohë që i vetmi që shkoi pranë tifozëve, ishte portieri Etrit Berisha i cili i dhuroi edhe fanellën e tij njërit prej tifozëve. /Erjon Allaraj-VipSport.al/


more recommended stories