Basketboll/ Triumfon Prishtina, fiton bindshëm në Kupën e Europës

Tifozët e Prishtinës kanë një arsye të veçantë për të festuar dhe për të qenë krenarë, pavarësisht se ekipi i tyre i futbollit nuk po kalon një moment të mirë. Ata mund të festojnë me ekipin e basketbollit që ka treguar herë pas here që është një nga klubet më të mira në Ballkan dhe jo vetëm.

Në turneun “FIBA Europe Cup”, Prishtina e ka nisur aventurën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar një fitore bindëse në shtëpi ndaj ukrainasve të Chekaski Mavpi me rezultatin 92-82.

Më i dalluari të Prishtina, ishte transferimi i këtij sezoni, Dardan Berisha i cili arriti të shënonte plot 26 pikë, ndërkohë që nga kampi kundërshtar, ishte Brandon Jang ai që shënoi më shumë pikë, 21. Prishtina bën pjesë në grupin E, ku përveç Chekaski Mavpit, në këtë grup janë edhe Baken Birs(Danimarkë) dhe Steaua Bukuresht (Rumani). /Erjon Allaraj-VipSport.al/