Basha: Mos gjykoni nga ndeshja e djeshme, e votuam ne Mavrajn

Migjen Basha ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, para ndeshjen me Izraelin, por njëkohësisht ka folur edhe për takimin e djeshëm ndaj Jordanisë. Basha ka besim se skuadra mund të ecë dhe nuk mund të gjykohet nga miqësorja e djeshme.

Besim te ecuria? Sigurisht që kam besim. Mund të bëjmë ndeshje të mirë dhe katastrofike. Mos ta gjykojmë ndeshjen e djeshme, pasi ishte një sistem pak i përdorur dhe u aktivizuan shumë të rinj, por mendja jonë është te e diela. E kemi parë të gjithë që nuk luajtëm mirë, ndërsa ata donin të merrnin një barazim.

Nuk është vetëm fitorja ajo që ngre moralin, duke qenë se edhe vjet na mundi Luksemburgu dhe më pas mundëm Izraelin. Ka raste kur fitorja është më keq, por edhe pas humbjeve duhet entuziazëm. Duhet ta shohim ndeshjen si finale. Nëse marrim rezultat pozitiv, kemi shanse shumë të mira për Europianin.

Zv.kapitenët? Nuk di të them nëse ndryshon diçka nga Hysaj apo unë. Kemi bërë edhe ne ndeshje të dobëta, por është fusha ajo që flet dhe duhet të japim gjithmonë maksimumin. Jemi caktuar kapiteni i dytë dhe i tretë, ndaj përgjegjësitë janë më të mëdha.

Skema? “Kam luajtur 3-5-2 me Venturën, por pak a shumë i di lëvizjet. Për dy ditë nuk mësohen. Ishim konfuzë, por edhe kundërshtari ishte në mbrojtje. Gjithsesi, kemi pasur raste për gol”.

Kapiteni? “Kapitenin e vendosi grupi, bëmë votimet dhe Mavraj mori më shumë vota. Është pozitive, por nuk është se shiriti të jep vetëm ty përgjegjësi. Duhet të mendojmë për të mirën e kombëtares.

Izraeli? “Na duhet patjetër fitorja, pasi mund të na bllokohet rruga për Europian. E dimë se do ketë ndryshime. Fillimi do të jetë i vështirë, pasi ata do na sulmojnë”, u shpreh Basha. /Erjon Allaraj-VipSport.al/